Intervista

Pse dëshiron të kthehet nga Gjermania shkrimtarja shqiptare?

Jeta Zhitia, shkrimtare shqiptaro- gjermane, dëshiron që nga Gjermania të kthehet në Shqipëri.

Në fakt, Zhitia ka lindur në Kosovë, dhe kujtim të vetëm nga fëmijëria, siç thotë ajo ka, ajrin dimëror me erën e qymyrit të djegur.

“Ende sot, ajo erë më duket si era më e dashur në këtë botë. Çdo herë që e nuhas, më vjen një buzëqeshje, më duket sikur mbërrij në shtëpi”, ka thënë Zhitia për gazetën Dita, përcjell Albinfo.ch.

-Për ju, fëmijëria është një periudhë e jetës, e cila lë gjurmë për atë ç’ka je më pas?

– Po, patjetër. Jo vetëm për mua. Kjo është shpjeguar tashmë nga psikologja. Ti je ai që je, për shkak të fëmijërisë dhe më pas për shkak të edukimit. Bazuar te këto, je dikush që reagon përmes ndërdijes, pa vetëdije, ose je dikush që e njeh ndërdijen tënde, i njeh reagimet spontane dhe i ndalon ato që nuk ndihmojnë të ecësh drejt qëllimeve që ke në jetë.

-Po me Shqipërinë, çfarë lidhje keni? Si e keni njohur Shqipërinë, duke pasur parasysh që jeni shqiptare që keni lindur në Kosovë…

Ah, kjo pyetja… Nuk e di pse në Shqipëri disa e quajnë lidhjen e atyre nga Kosova me Shqipërinë, si “të veçantë”. Do isha kurioze të njihja çfarë mësohet në shkolla për shqiptarët dhe trojet shqiptare.

Kur mbërrita në Shqipëri, në fillimin e 2018, më kanë pyetur shumë njerëz a jam vërtet shqiptare. U thosha e çuditur “po, shqiptare jam”. Nuk lëshonin pe. Kur ju kam thëne “jam lindur në Prishtinë”, disa herë kam marr një “Aah!” të lehtësuar si përgjigje, “Kosovare qenkeni!”. Sikur kishin sqaruar një mister.

Pasi biseda të tilla më ndodhën disa herë, fillova të mos i besoj ndjenjës time – e cila vërtet nuk bën dot dallim mes Shqipërisë e Kosovës. Dhe ndodhi që isha me një mik të familjes, lindur dhe rritur në Shqipëri, nga një familje e vjetër fisnike që ka dhanë shumë për formimin e identitetit shqiptar. Në prani të tij më pyeti dikush, “Po ju, çfarë jeni? Nga jeni?” Unë u përgjigja me fjalë të huazuara: “Jam kosovare”. Ky miku i familjes, i cili çdo herë që më takon ma korrigjon gramatikën dhe më mëson fjalë të reja në shqip, u kthye vrik dhe më tha: “Kosovare?! Po çfarë janë kosovarët? Shqiptarë janë! Mos e thuaj më kështu”

Ja, prandaj pyetja juaj për “lidhjen me Shqipërinë” është diçka që më kërkon shumë energji për ta kuptuar, përgjigje tjetër nuk kam.

-Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

1993

-Nuk besoj e mbani mend, ke qenë vetëm 1 vjeç…

Kam jetuar afër detit me mamin, se isha sëmurë nga mushkëritë dhe mjeku në Kosovë i ka thënë mamit që vetëm ajri i detit do më shpëtonte. Po, këtë nuk e mbaj mend. Në 1994 kemi qenë edhe me babin në Tiranë, ndër të tjera tek “Parku Rinia”.

Ndoshta mund t’ju duket e çuditshme, por ditet ne Tirane i mbaj mend gjallë dhe me detaje; edhe plazhin në Durrës, sidomos ndjenjën e rërës në duar e mbaj mend.

Ne gjithmonë kemi qendruar disa javë në Durrës dhe kemi shkuar në Tiranë ose Shkodër për vizita ditore.

– Duke lexuar jetëshkrimin tuaj pashë se ju kini studiuar juridik, biologji molekulare, psikologji, filozofi, paralel me degën tuaj kryesore gjuhën dhe letërsinë angleze në institutin e letërsisë angleze në Graz. Degën akademike nuk e keni ndjekur. Duken kaq të shpërndara si interesa studimore, dhe ndërkohë njiheni si shkrimtare…

Jo, nuk janë të shpërndara, përkundrazi. Unë kerkoja ta kuptoja njeriun në thelb. Gjithsesi, mendoj se perfundova tek ajo degë që ishte më afër shkrimit se ndonjë degë tjetër. Por në fund kuptova që nuk e kaloja dot jetën time duke analizuar tekste. Sepse unë vetë doja të isha krijuese e teksteve. Dhe ende dua. Dua të ulem të shkruaj, kjo është e gjitha

Charles Bukoëski e ka një poezi që quhet “so, you ëant to be a ëriter?”. Aty shkruan që vetëm atëherë kur heshtja për diçka do të të shkatërrojë, duhet të shkruash. Përndryshe, në qoftë se nuk të djeg ai diell, në qoftë se nuk del vetë ajo që duhet të thuhet, mos fol hiç, mos shkruaj fare. Shpesh kam mjaft mendime që ulërasin të mos e shkruaj atë që shkruhet vetë nëse ia dorëzoj dorën dhe lapsin. Po prapë i shkruaj se alternativa është që t’çmendem po heshta.

-Ku jetoni aktualisht?

Në Leipzig, ose si shkruhet me alfabetin fonetik të shqipes: Lajpcig.

-Keni 20 vite në Gjermani, 5 i keni kaluar në Austri. Do të thotë vitet më formuese në personalitetin tuaj kanë ndodhur brenda kulturës gjermane dhe më e rëndëshishmja brenda sistemit të edukimit gjerman. Thonë, që gjermanët janë të ftohtë për nga natyra, ju si ju duket?

Mua kjo gjë më duket e qartë dhe shumë pak mistike. Në Gjermani ti gjen miq sipas interesave individuale. Gjetiu ndodh edhe për shkak të nevojës për ngrohtësi. Por këtu në Gjermani është një sistem i rritjes dhe edukimit që kësaj anës së afirmimit të vetes nëpërmjet ngrohtësisë me tjetrin nuk i le shumë vend.

Ta dikton i gjithë cikli i jetës, prej fëmijërisë, që kohën për të menduar gjatë mbi atë që ka të bëjë me ndjenjat, ta mbash në nivel minimal, sjelljet që të zgjojnë anën emocionale vijnë e zhduken. Kjo mundëson nga ana tjetër një mendje të kthjellët dhe të përqendruar. Ndoshta e gjitha kjo, e parë nga jashtë, të tjerëve u jep atë përshtypjen që njihet si ftohtësi gjermane.

– Kurse ty të frymëzon Shqipëria…

Nuk ka vend që më frymëzon më shumë.

-E mendon Tiranën si një qytet ku mund të jetoni dhe punoni?

Po.

-Pse?

Po më pyesni çfarë na bën të vendosim pse do jetojmë këtu ose aty? Nuk e di, ndoshta arsyet janë të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Unë di që qëndrimi në Shqipëri më ngroh zemrën në një mënyrë që nuk e kam njohur me pare. Dhe më merr malli çdo ditë. Më merr vërtet malli çdo ditë.

-Ju e ndiqni aktualitetin në Shqipëri dhe besoj jeni e informuar që shumë të rinj, janë larguar nga Shqipëria e për më tepër, shumë të tjerë duan të largohen. Gjermania nga ku ju doni të vini në Shqipëri paradoksalisht është nga vendet më të preferuara për ata që ikin nga Shqipëria…

Ndoshta duan të ikin nga ai vend i bukur prej nevojës për të ardhura. Ç’mund të them unë? Unë di që ajri, ditët me diell të Shqipërisë, mundësia për të kaluar fare lehtë dhe brenda ditës në vende të ndryshme, nga mali në det, është diçka që nuk blihet, vlera e cilës nuk matet me lekë.

Por kështu e mendoj unë, kërkoj ndjesë nëse dikush ndihet i prekur nga kjo, njerëzit kanë nevoja dhe një jetë që ndoshta nuk e kuptojmë në secilin rast. Unë kam fatin e madh që e kam një familje që është dhe do jetë kudo me mua po pata nevojë. Ndoshta nuk jam për t’u krahasuar me njerëzit në Shqipëri.Ndoshta çfarë them për Shqipërinë për shumë njerëz aty duket si diçka pa vlerë, por siç të thashë nuk mundem të gjykoj drejt sepse unë jam rritur këtej.

Patjetër që çdo njëri ka fatin e vet dhe nuk ka njeri pa fat të vështirë. Por vende perfekte nuk ka. As njerëz perfektë. Nuk mendoj që zgjidhja është të kërkosh diçka perfekte, një shpresë e tillë e kotë e çon në depresion një individ, por edhe një shoqëri të tërë nëse është gabimisht e orientuar drejt kësaj.

-Jeta, ju kini udhëtuar nëpër Shqipëri dhe këtë e kam lexuar në disa reportazhe tuajat në Dita. Cili është ai qytet apo vend që ju pëlqen më tepër në Shqipëri?

Janë ca vende… Është ai lapidari afër Tiranës. Shpesh kam shkuar atje lart, në mbrëmje për t’i parë dritat e Tiranës. Ndonjëherë edhe kam qarë aty (qesh) kur nuk gjeja zgjidhje racionale për ngjarje apo mendime që ta marrin frymën e shpirtit.

Është kalaja e Beratit, ku shijoj shumë orët e mëngjesit kur ende nuk ka mbrrit nxehtësia e ditës. Gjatë natës vjen një frymë e ftohtë prej Tomorrit. Është shumë qetësi atje, vendi ideal për të dëgjuar veten, më qartë se kudo tjetër.

Tirana, po. Të ecësh nëpër Tiranë në mbrëmje, më duket diçka jashtëzakonisht e bukur.

Pastaj janë njerëzit. Në Shqipëri njerëzit më duken të guximshëm. Gjetiu, çdo herë që tregon veten, rrezikon edhe përjashtim nga shoqëria, komuniteti, grupi, nëse je fort i ndryshëm. Në Shqipëri më duket se ka shumë tolerancë te kjo; mua më duket sikur të lejohet të jesh kështu ose ashtu pa u dënuar me përjashtim ose heshtje. Sikur të lejohet të jesh aty edhe nëse je një njeri i cili nuk i ka të gjitha punët fort në rregull.

Është rëndësia e komunitares. Në Gjermani zakonisht e vërteta nuk thuhet nëqoftëse ka të bëj me ndjenja, edhe në shoqëri nuk pranohet lehtë ideja që të rrezikosh veten për tjetrin – nuk po flas për rrezik fizik, është metaforë nga pragmatika e linguistikës “të rrezikosh fytyrën”. Kam përshtypjen që në Shqipëri mikut i mbahet krahu.

Nuk di a po shprehem mjaft qartë. Shkurt dua të them që miqësia në Shqipëri ka një tjetër vlerë, një vlerë shumë më të veçantë, atë që duhet të ketë. Mendimi im, ky.

-Mësova se je në kërkim të një botuesi për librin që ke shkruar gjatë kohës që ishe në Shqipëri. Si po shkon kërkimi?

-Vazhdon. Nuk është e lehtë, sepse edhe për mua është sprova e parë kaq serioze. Deri tani kam botuar poezi brenda një antologjie me autorë të rinj të Bavarisë dhe tregime të shkurtra reviste në Austri. Si edhe reportazhet që ju përmendët në Dita, një gazetë që është treguar shumë bujare dhe mikpritëse me mua.