Kosova

Qeveria e Kosovës i kundërpërgjigjet Bujar Osmanit: E sheh Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë

Përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, Qeveria e Kosovës ka kritikuar ish-kryesuesit e OSBE-së tani kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

“Në planin 9 pikësh të OSBE-së, Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë vetëm të ulë gatishmërinë e Ushtrisë (Pika 2). Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Po ashtu, pika 3 e po atij plani, sygjeron që për sigurinë në terren, përgjegjëse të bëhet policia e rregullt, me asistencën e KFOR-it dhe EULEX. Gati katër muaj më pas, me 24 shtator, një patrollë e policisë së rregullt u sulmua nga trupa paramilitare, me armatim të sofistikuar, të financuar e mbështetur nga shteti i Serbisë. Aty mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi, Afrim Bunjaku. Rendin dhe sigurinë në terren brenda ditës e riktheu Policia Speciale e Kosovës. Po mos të ishte kjo njësi në veri, sot do të njihnim një realitet tjetër pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë”, shkruan Kryeziu në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Tutje, duke iu referuar një deklarate të Osmanit, Kryeziu theksoi se dje u kuptua që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë Bujar Osmani. “Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”, shkruan zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.