Lajme

Qeveria zvicerane në mbledhje të krizës: Priten masa të reja të koronës

Përmendet mundësia që takimet private të kufizohen në dhjetë persona, të ndalohen sportet ekipore në nivelin amator ose të kufizohen festat e Krishtlindjeve

Këshilli Federal po shqyrton forcimin e masave kundër koronës. Të martën (nesër) duhet të mbahet një mbledhje e saj e krizës.

Kështu, siç mëson “20 Minuten” nga një burim i Bernës zyrtare, Këshilli Federal dëshiron të dërgojë një numër më të madh masash kundër koronës në procesin e konsultimit. Nga ana tjetër, gazetat e grupit medial “Tamedia” tani po shkruajnë se çfarë masash mund të jenë këto, transmeton albinfo.ch.

Si shembull, përmendet mundësia që takimet private të kufizohen në dhjetë persona, të ndalohen sportet ekipore në nivelin amator ose të kufizohen festat e Krishtlindjeve.

Ndërkohë, Kancelaria Federale e ka konfirmuar këtë takim: Në një email drejtuar mediave të akredituara në Bundeshaus, (Pallati Federal) flitet për një “takim të jashtëzakonshëm” që do të zhvillohet pasditen e së martës, përcjell albinfo.ch. Këshilli Federal do të bëjë një vlerësim të situatës dhe do të komunikojë çdo vendim pas mbledhjes.

Këshilli Federal mund të shkurtojë gjithashtu afatin e vlefshmërisë së testeve të koronës për certifikatën Covid për 24 orë. Kjo do të thotë: Për testet antigjen nga dy në një ditë dhe për testet PCR nga tri në dy ditë.

Këshilltari Federal Alain Berset do t’i propozojë Këshillit Federal “më shumë se një duzinë” masash, shkruan “Berner Zeitung”.