Futboll

Raçi në radar të Barcelonës, mbrojtësi kosovar shkëlqen te Hajduk Split

Barcelona monitoron Ron Raçin

Mbrojtësi kosovar Ron Raçi po bën hapa të rëndësishëm në karrierën e tij te Hajduku i Splitit, derisa emri i tij tashmë është përmendur si interesim i mundshëm i Barcelonës, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka raportuar të premten profili në rrjetin social “X”, Football Transfer News, duke bërë të ditur se Raçi ndodhet në radar të klubit katalunas.

Ndërkohë, edhe mediat kroate kanë përcjellë këtë lajm. E përditshmja sportive “Sportske Novosti” ka cituar raportimin e Football Transfer News, duke theksuar se kjo informatë duhet marrë me rezervë.

Megjithatë, sipas mediave kroate, zhvillimi i shpejtë i Raçit te Hajduku ka bërë që ai të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane, përfshirë edhe Barcelonën, e cila aktualisht po përcjell disa mbrojtës të qendrës.

Raçi është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe paraqitjet e tij të fundit në kampionatin kroat kanë ngritur ndjeshëm vlerën e tij në tregun e transferimeve./Albinfo.ch.