Shqipëria
Rama: Mbyllja e TikTok u kërkua nga 95% e prindërve dhe mësuesve, nuk lidhet me zgjedhjet

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i është përgjigjur sot kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha në lidhje me thirrjen e këtij të fundit drejtuar fëmijëve për të bojkotuar mësimin dhe për të protestuar kundër mbylljes së aksesit në platformën TikTok.
Nëpërmjet rubrikës “Ç’kemi ndonjë të re”, në rrjetin social Facebook, Rama u shpreh se 95% e prindërve dhe mësuesve ishin dakord për të mbyllur TikTok, ndërsa shtoi se qeveria ka zhvilluar një dialog me kompaninë për të shtuar sigurinë për fëmijët.
“Bufi i kënetës” i bën thirrje fëmijëve të protestojnë për mbylljen e TikTok, duke mos shkuar në shkollë, dhe prindërve u kërkon të bashkohen me fëmijët kundër mësimit dhe të dalin në shesh për TikTok-un. Kjo është këneta jonë opozitare dhe filozofia e saj, kjo ka qenë gjithmonë dhe kjo do të jetë deri sa të ketë “bufin” që vigjilon nga ballkoni, mbi të gjithë ata që gjenden poshtë në “kënetë”, duke i kthyer përfaqësuesit e popullit opozitar në ca zvarranikë politikë e në insekte mediatike që vetëm kafshojnë dhe pickojnë, duke helmuar pa pushim çorbën e debatit politik dhe mediatik shqiptar,” tha Rama, transmeton ATSH, përcjell albinfo.ch.
“95% e prindërve dhe mësuesve të pyetur gjatë këshillimit të gjerë popullor na thanë ta mbyllnim TikTok sa më parë, madje kërkuan dhe më shumë se kaq, ndërkohë që ne u futëm edhe me dialog konstruktiv me kompaninë TikTok dhe presim të shohim planin e premtuar prej saj të sigurisë së shtuar për fëmijët tanë, gjë të cilën kompania ka thënë që do ta bëjë dhe do ta vërë në dispozicion brenda pak muajsh,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se arsyeja e vendimit për mbylljen e aksesit të TikTok, nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës apo me zgjedhjet. Rama shtoi se uron që mbyllja të jetë e përkohshme, por do të zgjasë deri sa kompania të këtë një plan sigurie dhe mbështetjeje për prindërit në edukimin e fëmijëve.
“Arsyeja pse vendimi i mbylljes u mor vetëm javën e shkuar ka të bëjë thjeshtë me kapacitetet teknike për të realizuar mbylljen e platformës, të cilat kanë kërkuar kohën e tyre që të ndërtohen dhe t’i kemi në dispozicion. Kjo s’ka të bëjë gjëkundi me lirinë e fjalës apo me zgjedhjet dhe është një mbyllje që unë uroj të jetë e përkohshme, por do të zgjasë aq kohë sa kompania do t’na japë një plan bindës dhe sigurie dhe mbështetjeje për prindërit në edukimin e fëmijëve,” u shpreh Rama.
“Nga ana tjetër, apeli i “bufit të kënetës” për fëmijët që mos të shkojnë në shkollë apo që t’i bashkohen bashkë më prindërit në protestë armatës së tij, besoj se duhet marrë tejet seriozisht si një simptomë lajthitjeje e rrezikshme, çka të bën për të qeshur kur sheh karavidhet e Shqipërisë madhështore, por nuk është më për të qeshur kur shkon deri te fëmijët dhe i përfshin dhe ata në shënjestrën e kënetës së paskrupullt”, theksoi Rama.
“Edhe një gjë për ata që më shkruajnë se ke filluar të merresh me “bufin”, se më parë kishe frikë prej tij. Nuk është punë trimërie dhe as frikë ta dini nuk është luftë për jetë a vdekje për askënd, por është punë, ardhmëri apo fikje dhe për kë, për Shqipërinë, prandaj edhe tani përpara vendimit të popullit sovran u duhet kujtuar disave se Shqipëria nuk mund të hyjë fare në diskutime nëse zgjedh të bëhet njësh me ne për ti futur fëmijët një herë e mirë në Evropë, apo të shkojë të bëhet me bufin e TikTok-ut për t’u zhytur e gjitha bashkë me fëmijët prapa, aty si gjithmonë, në gropë”, e përmbylli Rama reagimin.
E-Diaspora
-
Diaspora solli në Shqipëri gati 1 miliardë euro Remitancat thyejnë rekord historik...
-
Dy motrat shqiptare nga Italia në Kampionatin për Shah
-
Austri: Arrestohet shqiptari 20-vjeçar me dy patenta shoferi false
-
Arrestohet shqiptarja, ka rrëmbyer fëmijën e saj nga ish bashkëshorti
-
Blina Kurti fitoi tri medalje në Kampionatin e Xhudos në Gjenevë
Jeta në Zvicër
-
Numri i mjekëve në Zvicër rritet, por mungesa e mjekëve të kujdesit parësor vazhdon Në vitin 2024, numri i mjekëve në Zvicër u rrit me 3.7%, duke arritur në 42,602,...
-
Zvicra deporton një polak për herë të 16-të, por ai vazhdon të rikthehet
-
Kantoni i Bernës do të prodhojë targa në institucionin korrektues Thorberg
-
Analizë e çmimit të derivateve në Zvicër, ku ishte më lirë e ku më shtrenjtë nafta gjatë vitit 2024?
-
Kujdes nga biletat false në Zvicër për Eurovision