Shqipëria
Rama: Vota e 11 majit për një Shqipëri në BE

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët, ndërsa vuri në dukje se vota e 11 majit, pa parë përkatësi apo fanelë politike, është shumë e rëndësishme për misionin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, përcjell albinfo.ch.
“Është shumë e thjeshtë, sepse futja në BE është një proces i cili sot është shumë konkret dhe, për herë të parë që prej se kemi dalë nga errësira e komunizmit, ka një përputhshmëri të plotë mes dëshirës sonë për të hyrë në BE dhe dëshirës së tyre për të na marrë në BE. Në procesin e integrimit që nga viti 1990, pas rënies së Murit të Berlinit e deri më sot, ka pasur momente që dera është hapur dhe ka pasur faza kur dera është mbyllur për arsye të politikës së brendshme të BE-së, natyrisht”, tha Rama.
Po ashtu, ai tha se Shqipëria është në një moment kur dera e BE-së është hapur për vendin tonë dhe për Malin e Zi dhe, sipas tij, kjo do të thotë që është në tryezë një kalendar pune, i cili ka një afat – fundin e vitit 2027 – për të përmbyllur negociatat.
“Negociatat janë bisedime për të gjitha aspektet e organizimit shtetëror, për të gjithë sektorët, ku, nga pikëpamja e legjislacionit, ne duhet të adaptojmë gjithë organizimin legjislativ dhe rregullator të BE-së. Bëhet fjalë për çerek milion faqe, për të cilat ka vite që ka filluar puna, por ka ende shumë për të përkthyer, për të adaptuar dhe për të çuar në miratim. Nga ana tjetër, bëhet fjalë edhe për të garantuar një proces dhe një performancë pozitive”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, BE-ja nuk bën as lojëra, as komente në rrjetet sociale.
“BE-ja nuk merr pjesë në votime në Shqipëri, nuk ka fanelë partiake shqiptare. BE-ja ka një mekanizëm të tërë për të monitoruar ecurinë e punëve në një vend që pretendon të bëhet anëtar i BE-së, dhe ai mekanizëm nuk do të dijë fare, siç thashë, as për përkatësi politike, simpati politike; ai është një mekanizëm i ftohtë, i akullt, që sheh punën dhe rezultatet. Në bazë të punës dhe rezultateve, ky mekanizëm thotë komplet të kundërtën e asaj që thua ti, Bledi, dhe plot të tjerë si ti që nisen nga të tjera premisa. Do të thotë që në të vërtetë Shqipëria po bën hapa shumë të mëdhenj në transformimin e gjithë organizmit të vet shtetëror dhe po bëhet një shtet i gatshëm për t’u bërë anëtar i BE-së. Dhe ky është fakt që nuk e luan as topi, e jo më fjalët e tepërta që janë fukarallëk”, pohoi Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e votës më 11 maj, që të mos ketë asnjë lëkundje, sepse negociatat janë një proces që nuk ka asnjë ditë – jo muaj apo vit – për të humbur, sepse, sipas Ramës, nëse “humbasim qoftë edhe një ditë, atëherë gjërat shtyhen dhe, nëse shtyhen, ajo portë mund të mbyllet”.
“Dhe kjo është kaq e vërtetë, saqë Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012, një vit para se unë dhe PS të vinim në qeveri, dhe akoma nuk është integruar. Ndërsa ne jemi krah më krah me Malin e Zi, megjithëse negociatat i kemi hapur vjet. Kemi arritur të bëjmë atë që, pavarësisht se nuk na jepej hapja zyrtare e negociatave për arsye politike të një vendi tjetër, ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe kemi qenë gati, dhe, në momentin që u hapën negociatat, ne kemi qenë më përpara se të tjerët duke bërë praktikisht të njëjtat gjëra, sikur t’i kishim hapur. Sot dera është hapur dhe kjo nuk është një lojë fjalësh, as çështje kush jam unë apo ti, jam me këtë apo atë apo çfarë ngjyre ka fanela politike në Shqipëri”, pohoi Rama.
Kryeministri theksoi se çështja e votës dhe zgjedhjeve më 11 maj është një çështje mbarëkombëtare, një interes mbarëkombëtar. “Ne nuk duhet të lëkundemi dhe nuk duhet ta humbasim fillin dhe drejtimin. Qeveria jonë mund të ketë shumë të meta, mund të ketë bërë plot gabime, por askush tjetër – as përballë, as përreth, as mbrapa nesh – nuk bën dot asesi atë që ne mund të bëjmë në këtë moment në histori. Dhe do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje më 11 maj”, tha Rama.
E-Diaspora
-
Promovohet libri kushtuar veprimtarit Rafi Halili “Disa letra në dorëshkrim nga RAFI Halili” mban titullin libri i radhës i Agim Sylejmanit, kushtuar...
-
Mira Murati me hapin e radhës në krijimin e “Thinking Machines Lab”
-
Njihuni me familjen që la Zvicrën për të jetuar në Kosovë
-
Erdhi për pushime nga Austria, humb jetën i riu shqiptar në një aksident
-
Kur e qeshura bëhet atdhe – “Luli & Goni Lemes”, me premierë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zvicra importon 70% të energjisë elektrike Duke filluar nga e shtuna e ardhshme, Zvicra do të kalojë në një periudhë të mbështetjes...
-
Relaksimi, jeta e shëndetshme, këto janë qytetet më të mira, përshirë edhe Cyrihun
-
Aargau: Qeveria aprovon iniciativën për leje para se të vendosen kamerat fikse të shpejtësisë
-
160 rekrutë të Ushtrisë Zvicerane u bllokuan në kamp për shkak të borës
-
Situata në Valais pas reshjeve të borës, disa rrugë vazhdojnë të jenë të mbyllura