Ekspozita
Refki Gallopeni: Arti si kujtesë, përgjegjësi dhe dialog me botën
"Arti është mbamendje e një epoke dhe kujtesë e një kombi. Një pjesë e veprave të mia pasqyrojnë ngjarje historike që janë transformuar në simbolikë, ngjyrë dhe emocion..."
Refki Gallopeni është artist pamor dhe pedagog i angazhuar prej dekadash në krijimtarinë artistike dhe edukimin kulturor. Praktika e tij përfshin pikturën, ilustrimin, heraldikën, mozaikët dhe skulpturën, me ekspozita të shumta në Kosovë dhe jashtë saj. Paralelisht me veprimtarinë krijuese, ai ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në edukimin artistik dhe në zhvillimin e platformave kulturore, përfshirë drejtimin artistik të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit “Festari”.
albinfo.ch: Nëse do të ishit i detyruar të përkufizonit me një fjali fillesën dhe drejtimin e rrugëtimit tuaj artistik, cili do të ishte vizioni përbashkues që e ka orientuar atë prej dekadash?
Refki Gallopeni: Dashuria për jetën, familjen, atdheun, natyrën dhe të bukurën janë pikënisje e rrugëtimit tim krijues dhe artistik.
albinfo.ch: Formimi juaj krijues shtrihet në një hark të gjerë kohor dhe gjeografik. Si ka ndikuar kjo ndërthurje e përvojave në ndërtimin e një identiteti artistik që mbetet njëkohësisht lokal në rrënjë dhe ndërkombëtar në shtrirje?
Refki Gallopeni: Autoktonizmi është gurthemel i identitetit personal, duke filluar nga fëmijëria deri te pjekuria profesionale ku jam tani. Çdo gjë që më rrethon, ngjarjet historike, identiteti kombëtar, fenomenet shoqërore dhe të natyrës, aktivitetet artistike dhe kulturore krijuan një bazament të fortë për të kaluar edhe në nivelin ndërkombëtar. Ky rrugëtim filloi nga dëshira dhe pasioni për t’u bërë artist që në shkollë fillore, u thellua në shkollën e mesme të artit “Odhise Paskali” në Pejë, më pas në studimet universitare dhe të magjistraturës në Universitetin e Prishtinës. E gjithë kjo ndikoi në pjekurinë time artistike dhe u reflektua në ekspozitat e shumta brenda dhe jashtë vendit.
albinfo.ch: Në praktikën tuaj shfaqet një gamë e gjerë mediumesh – nga ilustrimi te heraldika, nga mozaiku te skulptura. Cila është logjika e brendshme që i mban të bashkuara këto forma shprehjeje brenda një filozofie të vetme estetike?
Refki Gallopeni: Mediumet e ndryshme të shprehjes artistike më përmbushin si artist. Secili ka specifikat e veta dhe kërkon përkushtim të veçantë, ku shkrihet mendimi filozofik me idenë dhe paraqitjen estetike. Kam realizuar shumë ilustrime për libra për fëmijë dhe të rritur, ndërsa heraldika është një fushë shumë specifike që kërkon respektim rigoroz të rregullave grafike, thjeshtësi, kuptim të plotë dhe lexueshmëri. Kam dizajnuar dhe realizuar stema për institucione shtetërore dhe kompani private; për shembull, në stemën e Bashkisë Mirditë janë përfshirë mbi dy mijë vjet histori në një zgjidhje të vetme grafike. Sa u përket mediumeve artistike, shpirti im fle te piktura, aty jam më i lirë të shprehem emocionalisht.
albinfo.ch: Gjatë karrierës suaj keni ushtruar një rol të rëndësishëm në edukimin artistik. Si e përkufizoni përgjegjësinë pedagogjike në formësimin e brezit të ri të krijuesve?
Refki Gallopeni: Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1991 fillova punën si pedagog, në një kohë represioni dhe përjashtimi nga institucionet arsimore, çka solli organizimin e arsimit paralel dhe një rezistencë kulturore ku arti shërbeu si mbrojtje e identitetit kombëtar. Lufta për lirinë e Kosovës më gjeti të angazhuar drejtpërdrejt deri në plagosje. Pas luftës, me fokus te shërimi shpirtëror i fëmijëve dhe të rinjve, u angazhova në programe psikosociale dhe terapi arti, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe universitete amerikane, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në art, teknologji dhe inovacion.
albinfo.ch: Si e vlerësoni rolin e institucioneve kulturore të Kosovës në ndërtimin e një infrastrukture të qëndrueshme për artin bashkëkohor?
Refki Gallopeni: Kam qenë i përfshirë në themelimin e disa institucioneve kulturore, veçanërisht në Therandë. Pas luftës janë hedhur hapa të rëndësishëm, si krijimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Prishtinë dhe hapja e galerive private, por mbetet nevoja për qendra kulturore të Kosovës në kryeqendrat botërore, në funksion të artit dhe diplomacisë kulturore. Potenciali krijues ekziston dhe kërkon mbështetje të qëndrueshme institucionale.
albinfo.ch: Si e përcaktoni standardin profesional kur një artist bëhet kurator?
Refki Gallopeni: Çdo ekspozitë udhëhiqet nga një koncept i qartë kuratorial, mbi të cilin ndërtohen edhe standardet e përzgjedhjes. Kuratori kujdeset për koherencën dhe harmoninë vizuale të tërësisë. Në këtë kuadër, isha i nderuar për besimin e Shoqatës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në kurimin e ekspozitës “Nëntori i parë” në Konsulatën e Republikës së Kosovës në Cyrih.
albinfo.ch: Si e shihni marrëdhënien midis artit dhe përgjegjësisë ndaj historisë së një komuniteti?
Refki Gallopeni: Arti është mbamendje e një epoke dhe kujtesë e një kombi. Një pjesë e veprave të mia pasqyrojnë ngjarje historike që janë transformuar në simbolikë, ngjyrë dhe emocion, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike për ruajtjen e identitetit.
albinfo.ch: A e shihni konkursin si verifikim profesional apo si dialog estetik me botën?
Refki Gallopeni: Të dyja. Verifikimi nga juritë ndërkombëtare dëshmon pjekurinë profesionale, ndërsa dialogu estetik hap dyer të reja për pranimin e ideve. Kam marrë disa çmime dhe vlerësime ndërkombëtare që e kanë forcuar këtë dialog.
albinfo.ch: Si e konceptoni balancën midis lirisë krijuese dhe integritetit të veprës në epokën digjitale?
Refki Gallopeni: Teknologjia ndihmon realizimin e idesë, por ideja dhe emocioni burojnë nga shpirti. Në pikturë, ndjeshmëria humane ruan integritetin e veprës dhe e dallon atë nga prodhimi mekanik.
albinfo.ch: Cilat janë sfidat kryesore për artistët e rinj përballë teknologjive digjitale?
Refki Gallopeni: Artistët duhet të ecin me kohën, por të shmangin plagjiaturën dhe shkëputjen nga natyra. Mbamendja fizike dhe ajo shpirtërore duhet të ruhen krahas asaj digjitale.
albinfo.ch: Cila ka qenë ekspozita juaj e fundit?
Refki Gallopeni: Ekspozita ime e fundit personale ishte në Paris, në galerien La Ville A des Arts, me titull “Peizazh përtej asaj që shihet”. Aktualisht jam duke punuar ciklin “Fryma e fundit”, kushtuar kauzës së lirisë.
albinfo.ch: Çfarë roli luan diaspora shqiptare në qarkullimin e artit dhe ideve?
Refki Gallopeni: Diaspora shqiptare është ADN-ja e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kombëtar.
albinfo.ch: Si e shihni raportin krijues mes jush dhe djalit tuaj, Avni Gallopeni?
Refki Gallopeni: Avniu është dhurata më e bukur e jetës sime. E shoh si vazhdimësi estetike dhe njëkohësisht transformim të natyrshëm të traditës krijuese.
albinfo.ch: Cila vepër e juaja përfaqëson më mirë thelbin e krijimtarisë suaj?
Refki Gallopeni: Secila vepër është pjesë e qenies sime, por veçoj performancën “Kujtesa” në Pennsylvania State University dhe veprën “Liria e shpirtit të shenjtë” në Muzeun e Artit Modern në Napoli.
albinfo.ch: Dhe së fundi, nëse do ta përshkruanit veten me një fjalë të vetme?
Refki Gallopeni: REGO
Në këtë intervistë për albinfo.ch, Refki Gallopeni ndan reflektime të thelluara mbi rrugëtimin e tij krijues, artin si kujtesë dhe përgjegjësi, si dhe dialogun e vazhdueshëm që arti zhvillon me botën bashkëkohore.
“Kujtesa”, Teknika Akrilik në pëlhurë
“Kalorësit e pavarësisë”, Teknika Akrilik në pëlhurë
Posteri promovues i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë
Peisazh, Verë e kuqe dhe Akrilik në pëlhurë
“Besa e Konstantinit”, Teknika: Akrilik në pëlhurë
Performansë: Pikturim para audiencës në Koloninë e artit në Sarandë- Shqipëri
Më shumë informacione për punën e artistit gjeni në: Refki Gollopeni – Homepage
Intervistoi Luljeta Ademi
Të tjera nga Ekspozita
E-Diaspora
-
Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare Pjesëmarrje e gjerë dhe fokus i qartë te të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirja në aktivitetin... -
Vonesë në votimin me postë për diasporën -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Konsullja e Kosovës, pjesëmarrëse në ceremoninë “Escalade” në Gjenevë -
Viti i diasporës: Kush vendos për fatin e Kosovës?
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Hyn në fuqi marrëveshja e re kolektive kombëtare e ndërtimit Kjo u njoftua bashkërisht nga kompanitë e ndërtimit dhe sindikatat Unia dhe Syna pas raundit të... -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Banorët e evakuuar të Brienzit mund të rikthehen të shtunën -
Qeveria zvicerane thotë se të burgosurit e huaj duhet të marrin sigurim shëndetësor -
Apartamenti më i shtrenjtë në Cyrih, kushton 24,000 CHF në muaj


















