Integrimi
Reflektim mbi ri-kthimin! Pse ktheheni çdo verë në Kosovë?
Në aeroportin e Prishtinës, gruaja pranë meje, që po kthehej në Stuttgart, Gjermani, filloi bisedën. Ajo njohja e zakonshme dhe e afërt shqiptaro-kosovare që tejkalon kufijtë. Pastaj më tha: “Më vjen keq që po e them këtë, por nuk më merr më malli të qëndroj këtu. Pas katër ditësh, më mjafton.” E falënderova për sinqeritetin. Edhe unë ndihem njësoj. Madje, më keq, ndonjëherë nuk kam as dëshirë të kthehem. Më vjen turp ta pranoj këtë. Por megjithatë ekziston diçka që tërheq vazhdimisht.
Në “The Return: Fathers, Sons and the Land in Between” Hisham Matar pyet:
“Si të jetosh larg vendeve dhe njerëzve që do? Joseph Brodsky kishte të drejtë. Edhe Nabokov dhe Conrad. Ishin artistë që nuk u kthyen kurrë. Secili prej tyre, në mënyrën e vet, u përpoq të shërohej nga vendi i vet. Ajo që ke lënë pas është shpërbërë. Kthehu dhe do të përballesh me mungesën ose me shëmtimin e asaj që e ke çmuar.
Por Dmitri Shostakovich, Boris Pasternak dhe Naguib Mahfouz kishin gjithashtu të drejtë: mos e lër kurrë atdheun. Nëse ikën, lidhjet me burimin do të këputen. Do të jesh si një trung i tharë, i fortë dhe i zbrazët. Çfarë bën kur nuk mund të largohesh dhe nuk mund të kthehesh?”
Çfarë të bësh kur nuk mund të largohesh dhe nuk mund të kthehesh? Kur largohesh nga shtëpia për në shtëpi.
Në këtë dilemë, nostalgjia bëhet pjesë thelbësore e gjendjes diasporike. Ata që janë zhvendosur nga konfliktet mbeten të qepur brenda këtij ngërçi.
Një dilemë që është e ngarkuar me nostalgji.
Në “Nostalgia: A History of a Dangerous Emotion”, Agnes Arnold-Forster shkruan:
“Emigrantët, refugjatët dhe të zhvendosurit mund të kenë ndier mall për shtëpitë që kishin lënë pas, por ato shtëpi nuk ekzistonin më. Ata mallkonin për një vend, por ai vend ishte një hapësirë e ruajtur në një moment të caktuar historik.”
Mircea Cărtărescu e përshkruan nostalgjinë si një labirint kujtesash, fragmente të ndërthurura që e zbehin vijën mes realitetit dhe imagjinatës. Një mall për një të kaluar të paarritshme, por emocionalisht të gjallë. Në këtë përmbledhje, identiteti transformohet dhe personazhet ndërrrojnë shpirtra teksa përballen me absurditetin e ekzistencës.
E ngjashme me dilemën e Matar-it për të mos mundur as të largohesh e as të kthehesh, Cărtărescu shkruan:
“Ne jemi krijesa të së tashmes dhe së kaluarës, përgjithmonë të mbërthyer mes dy botëve… Nostalgjia është një busull që na udhëzon për t’u kthyer tek vetja jonë e vërtetë.”
Dua ta di nga ju, bashkëatdhetarët:
Pse ktheheni çdo verë? Dhe me çfarë dilemash përballeni kur e bëni këtë, përtej pritshmërive romantike për vendlindjen?
Shkruani tek [email protected] ose më dërgoni mesazh direkt nëse doni të bisedojmë më gjatë.
Editorial nga Rina Limoni. Rina është studiuese dhe analiste të dhënash, me përvojë kërkimore në King’s College London.
E-Diaspora
-
Ndërmjet Washingtonit, Strasburgut dhe Zvicrës: LUGINAS po ndërton një model inovativ të organizimit për diasporën Intervistë e albinfo.ch me kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër... -
Bernë
Filmi “La Beauté de l’Âne” shfaqet në Bernë në kuadër të javës së Frankofonisë -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura
Jeta në Zvicër
-
Zvicra mund të përballet me mungesë energjie këtë dimër Zvicra rrezikon një mungesë të energjisë elektrike këtë dimër, sipas një studimi të ri të kompanisë... -
Dhuna në familje: Pse janë të rinjtë më të cenueshëm? -
Policia e St. Gallen lufton pedofilinë online – hapen 21 procedura penale -
Pse është kaq e vështirë të ndryshosh karrierë në Zvicër? -
Në Zvicër, një në pesë të moshuar heq dorë nga kujdesi mjekësor për arsye financiare











