Lajme
Viti i diasporës: Kush vendos për fatin e Kosovës?
Tri palë zgjedhje e kthyen diskutimin në një arenë të hapur: pse diaspora duhet të votojë? Pse duhet të vendosë për fatin e Kosovës?
Një fjalë që u përsërit në studio televizive, në fjalime politike, në rrjete sociale, në kafe, në familje dhe në rrugë. Tri palë zgjedhje – lokale, parlamentare dhe këto të jashtëzakonshme në fund viti – e kthyen diasporën në temën kryesore të Kosovës. Jo sepse u kujtuam papritur për të, por sepse për herë të parë u ndjemë të pambrojtur pa të.
Politikanët e përmendën për fushata, duke kërkuar votën e saj si të ishte një burim i pafund energjie dhe ndikimi. Institucionet folën për të si për një aset strategjik që duhet respektuar. Ndërsa publiku, në Kosovë e jashtë saj, e pa veten të ndarë mes emocioneve të përkatësisë dhe lodhjes nga premtimet.
Tri palë zgjedhje e kthyen diskutimin në një arenë të hapur: pse diaspora duhet të votojë? Pse duhet të vendosë për fatin e Kosovës? A ka të drejtë të zgjedhë qeverinë e një vendi ku nuk jeton përditë?
Për herë të parë, debati nuk ishte thjesht formalitet elektoral. Ishte emocion, identitet dhe frikë. Disa argumentuan se diaspora është shpirti ekonomik i vendit dhe meriton të ketë zë në vendimmarrje. Një pjesë tjetër pyeti me skepticizëm: a e njeh diaspora realitetin e përditshëm të Kosovës, sfidat e tregut, politikat sociale, mungesën e mundësive? A mban përgjegjësi për vendimet e saj?
Sido që të jetë këtë të drejtë e vulos Kushtetuta e Kosovës dhe Diaspora nuk është vetëm një term abstrakt. Ajo u bë subjekt politik, ekonomik dhe kulturor: rreth 1 milion qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit, një popull i tërë në diasporë. Ata nuk janë numra statistikash, por punëtorë, profesionistë, studentë, familjarë, njerëz që çdo verë mbushin aeroportet dhe rrugët e Kosovës me gjuhë, energji dhe mall.
Zgjedhjet e sivjetme zbuluan diçka të dhimbshme: sa pak infrastrukturë ka Kosova për t’i trajtuar ata si pjesë më vete. Procedura të ngadalta, votime me postë, radhë të gjata në ambasada. Ndërkohë që Kosova pret remitancat e tyre çdo muaj, i përmend vetëm kur ka nevojë për votën e tyre.
Diaspora nuk është “turist veror”, por shtylla e dytë e ekonomisë së vendit. Ajo investon në shtëpi, dërgon para për familje, hap biznese, sponsorizon iniciativa kulturore, sjell përvoja profesionale dhe rrjete ndërkombëtare. Ajo mbështet, ndërton, zhvillon, pa kërkuar asgjë përveç respektit.
Në Kosovë, shpesh themi “diaspora është pasuria jonë”. Por si çdo pasuri, nëse nuk kujdesesh për të, humbet. Shumë të rinj të gjeneratës së dytë e të tretë të diasporës dinë më shumë për Zvicrën, Gjermaninë apo Austrinë sesa për vendlindjen e prindërve. Kjo nuk është për faj të tyre. Është thjesht dëshmi se kultura, historia dhe identiteti nuk trashëgohen vetvetiu – duhen kultivuar.
Në vitin kur diaspora u përmend më shumë se kurrë, ndoshta erdhi koha të kuptojmë se nuk mjafton t’i ftojmë për votë. Atyre duhet t’u ofrohet një vend në tryezë:
një sistem zgjedhor funksional, reprezentim i drejtë, program për kthime të përhershme, platforma për investime, marrëveshje për transfer diplomash, politika që i trajtojnë si partnerë dhe jo si kartelë bankare ATM.
Sepse diaspora nuk është një mjet politik. Është pjesë e Kosovës, një pjesë që na sheh nga larg, por që nuk na ka harruar kurrë. Na kujton veten, na kujton se kush jemi dhe na mban të lidhur me botën.
Dhe ndoshta, në fund të këtij viti, më shumë se të debatojmë për diasporën, duhet të pyesim veten: a vepruam që të na mbajë mend, apo vetëm folëm që të na dëgjojë? Në këtë përgjigje fshihet e ardhmja jonë e përbashkët.
Dhe pikërisht këtë vit, në numrin special të magazinës albinfo.ch, e dëshmojmë me vepra: sjellim laureatët shqiptarë të vitit 2025 në Zvicër.Njerëzit që e shënuan vitin në politika, art, mjekësi dhe sport. Ata që treguan se “jashtë vendlindjes” nuk do të thotë “jashtë historisë sonë”. Janë shqiptarë të rinj, profesionistë, inovatorë, liderë, artistë dhe sportistë, të cilët nuk vendosën vetëm për fatin e tyre, por shënuan gjurmë në vendin ku jetojnë – dhe përmes suksesit të tyre, ngritën edhe emrin e Kosovës.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













