Opinione

Rrëfime dimërore nga biblioteka*

Gjatë këtij dimri të madh në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare çdo lajm që ka të bëjë me politikën dhe që sjell një lloj ngrohje jo të trupit, po të shpirtrave, është nxitës i mendimeve dhe veprimeve të diasporës.

Nuk është e rastësishme që migranti qoftë i gjeneratës së parë apo të dytë, i integruar apo në fazë të integrimit, përballet me fenomenin që quhet në frengjisht “double absence” (mungesë e dyfishtë), që do të thotë që migranti nuk është prezent as në vendin e origjinës e as në vendin ku jeton.

Kur jemi të mendimet, mendimet e mia lidhen me debatet e fundit politike, me situatën politike në Kosovë dhe trevat shqiptare dhe me dëshirën që të shoh vendin tim të ecë përpara. Po në të njëjtën kohë më duhet të përballem me veprime dhe t’i kushtohem punës këtu ku jetoj në Zvicër.

Përballem me shkrimet në rrjetet dhe mediat elektronike, ku ende mbretëron një formë e mendimit kolektiv, duke u bazuar në idenë që e gjithë bota e di kush jemi, çfarë jemi dhe si kemi vuajtur, e që Evropa e di që jemi viktimë. E, për të vazhduar me idenë që jemi të zgjedhurit e Perëndisë apo që civilizimi fillon me neve…

Po nuk mund të mos them që në këtë frymë kam qenë edhe unë, po realiteti zvicran e bën të veten që duhet të largojmë mendimet kush jemi e sidomos të largojmë vetëkënaqësinë tonë me shkrime të tilla e të punojmë shumë për të parë realitetin e vërtetë…
Kur përballen ndonjëherë realitetet në mes të mendimeve, të them shqiptar dhe veprimit zviceran, japin disa situata pothuajse tragjiko- komike.

E kur jemi te puna, pra te realiteti i vërtetë, nuk mund të mos rrëfej ngjarjen që më ka ndodhur në Bibliotekën Kantonale të Lozanës. Bibliotekë që në rrjetin e vet mban 5 qendra, me mbi 150 bashkëpunëtorë, me një fond të librave mbi 2, 5 milionë dhe 410.000 dukumente elektronike (http://www.bcu-lausanne.ch/connaitre-la-bcul/)

Në dimrin e vitit 1999, me ndihmën e vëllait kisha gjetur si student një punë në Bibliotekën Universitare të Dorignis (Dorigny). Punë që kishte të bënte me arkivimin e shumë studimeve në një hapësirë të madhe. Pra, ishte punë shumë e mirë, bëja organizimin e orarit të punës sipas orarit që kisha në shkollën e mësimit të gjuhës frenge, punë e paguar mirë për një student të huaj, student shqiptar, që në fakt nuk kisha të drejtë pune në institucionet shtetërore dhe nuk kisha të drejtë të punoja mbi 15 orë në javë. Pas 6 muajsh pune intensive mbarova misionin në Bibliotekën e Dorinis, i kënaqur nga puna e i kënaqur nga drejtoria e Bibliotekës të Dorinis, të cilët më lëshuan një certifikatë të mirë pune që më mundësoi të kërkoja punë në bibliotekën e Riponit që gjendet mu në mes të qendrës të qytetit të Lozanës, në një pallat të quajtur Palais de Rumine, ku janë të instaluar edhe 6 muze të ndryshëm. Dhe, fati im ishte në “fatkeqësinë” që disa persona që punonin në sektorin e dhënies së librave ishin të sëmurë dhe mua më thirrën për një zëvendësim të shkurtër. Natyra e punës ishte e ndryshme nga puna që kisha bërë në Bibliotekën e Dorinis, ishte punë në kontakt me lexuesin e në kontakt me kolegët. Pra, përgjegjësia ishte më e madhe. Ashtu sapo kisha bërë një javë punë dhe pasi që ishte caktuar më herët darka e servisit ku punoja, më ftuan edhe mua në këtë darkë që ishte në një restorant italian afër stacionit të trenave në Lozanë. Duke treguar përpikmërinë time pothuajse arrita i pari në restorant. Shefi i servisit që kishte dosjen time dhe informatat lidhur me biografinë time nuk kishte ardhur dhe për kolegët isha unë ekzotiku i mbrëmjes. Forma se si filluan të më shikojnë, se si filluan të më parashtrojnë plot pyetje më bën të mendoj për shprehjen që zviceranët janë diskretë, pra, të matur. Kjo me sa dukej nuk vlente për të huajt, e në rastin tim me sa ndjeva kërkonin edhe AND-në time. Duke u përballur me këtë bombardim pyetjesh e në sytë e kolegëve shihesha etjen dhe padurimin në përgjigj,e ashtu më erdhën në kokë imazhet e një filmi që kisha shikuar (Zotërat kanë rënë mbi kokë – les dieux sont tombées sur la tête), film që tregonte kur një shishe e kokakolës ishte gjuajtur nga qielli dhe kishte aterruar në mes të një fshati të një fisi të izoluar në Afrikë… Pra, me imazhet e këtij filmi më lindën idetë të testoj njohuritë e kolegëve zvicranë për shqiptarët apo për trojet shqiptare… dhe fillova rrëfimin:

“Vij nga një regjion malor, larg civilizimit, nuk kemi elektricitet, nuk kemi rrugë… ashtu duke vazhduar rrëfimin pashë te kolegët e mi kurreshtje dhe etjen për të më degjuar…dhe forma se si u afruan pranë meje më jep të drejtë të vazhdoj këtë rrëfim dimëror, e këtë rrëfim fillova ta ilustroj me detaje që vinin nga fshati im i imagjinar dhe vazhdova… Për pastrim të fytyrës në mëngjes përdorim burim e ujit dhe fusim fytyrën në burim, kurse për të terur apo tharë fytyrën përdorim qengja (kingja), meqenëse se kanë leshin e butë… Në rrëfimin tim dimëror mbretronte qetësi dhe shikojsha fytyrat e hipnotizuara të kolegëve të mi. Isha në fundin e arsenalit të imagjinatës sime dhe si shpëtimtar në këtë histori më erdhi shefi i servisit që na përshëndeti dhe filloi duke më prezentuar pranë kolegëve. Prezentimi zyrtar ndryshonte nga prezentimi im imagjinar dhe nga një heshtje në fillim…filluan të qeshurat e kolegëve që morën vesh që rrëfimi im ishte tërheqës dhe ushqyes për një mbrëmje dimri. Po, rrëfimi im mori përmasa edhe te drejtoria e Bibliotekës…

Nga kjo histori i bëra vetit pyetjen: Si është e mundur që jemi aq pak të njohur në qarqet e tilla kulturore?

Gjatë viteve në vazhdim punova me një përqindje të vogël, po sa për të mundur t’i përgjigjem pyetjes sime. Afër 8 vjet në punë në Bibliotekë Kantonale kam parë shumë pak lexues shqiptarë, e kur jemi të librat kam qenë dëshmitar i pranimit të shumë librave që kanë të bëjnë me Kosovën po që botues janë shtëpitë botuese serbe, qoftë në Zvicër, qoftë nga Akademia e Shkencore serbe. Sulmi informues për Kosovën me version serb kontribuon për studentët zvicranë dhe të huajt të marrin versionin e botuesit dhe këta studentë një ditë do të kenë pozita të mira në organet shtetërore zvicrane apo në ndonjë shtetë tjetër… Kundër këtij sulmi, dhe i vetmi që arrinte t’i përballonte me sukses, ishte një shkrimtar i madh shqiptar, që nga kënaqësia për këtë shkrimtar në kokën time përdorja një pseudonim ushtarak e që e quaja njësia speciale e trurit shqiptar, Ismail KADARE. Gjatë gjithë viteve të punës me ëndje verifikoja përqindjen e lexueshmërisë dhe i madhi KADARE mbetej shkrimtari më i lexuar nga zviceranët dhe të huajtë, po jo nga shqiptarët. Nuk më çuditi edhe fakti që KADARE arriti që Franca të kuptojë shqip…

Me vite u njoha me kolegë dhe politika e bibliotekës ndryshoi dhe hapja për të huajt u zyrtarizua me krijimin e fondeve për komitetet e huaja, ku gjuha shqipe bën pjesë.

Për furnizimin me libra shqip të Bibliotekës të Riponit, një punë të veçantë dhe të çmuar ka bërë shoqata “Ardhmëria”, e udhëhequr nga zotëri Setmer Selmani, i cili mundësoi që kjo Bibliotekë të blejë mbi 350 libra në gjuhën shqipe.

Ka vite që jam larguar nga Biblioteka, po në planin strategjik të punës të Bibliotekës për dekadën në vijim para 2 vjetëve kam qenë i ftuar të jap kontributin tim si i ngarkuar për projekte pranë administratës kantonale dhe shoh që ende mbretëron dëshira që kjo bibliotekë të furnizohet me literaturë shqipe dhe literaturë për shqiptarët, vetëm na duhet të largojmë petkun dimëror nga mendimet e që Akademitë e Shkencave Shqiptare, lidhjet e shkrimtarëve dhe rrethet letrare së pari të punojnë më shumë e më mire, e në bashkëpunim me misionet diplomatike dhe me një koordinim me institutet, shoqatat dhe personat kyçë shqiptarë të bëjnë një punë në këtë drejtim. Në të kundërtën, do të mbesim ekzotika e Evropës…

* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.