Shqiperia

Realiteti në spital, qetësi e profesionalizëm nga stafi mjekësor

Rrëfimi i ish-pacientit me COVID-19 nga Shqipëria

Shkëlqim Kelo, një qytetar i cili ka qenë i prekur nga COVID-19, por që tashmë fatmirësisht është shëruar nga koronavirusi, tregon eksperiencën e tij në spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke vlerësuar punën e stafit mjekësor, të cilët ai i cilëson si pararoja e administratës shqiptare.

“U bënë ditë, javë e muaj që jemi të mbërthyer nga ethet e pandemisë. Si gjithmonë në raste të tilla mediat e shkruara apo vizive, hapin thesin e tyre të lajmeve dhe komenteve. Shpeshherë disa studio televizive, ta shpifin me terrin informativ që përcjellin. Jo rrallë ftojnë specialistë miq të tyre, por ftojnë edhe ca palo specialistë, të cilët pasi fryhen gjatë gjithë ditës duke pirë birra, vijnë në studio e na shpalosin ca ide e ca rrugëzgjidhje, që të bëjnë të ikësh në drejtim të paditur”, thekson ai.

Por, shton ai, krejt e kundërta ndodh në realitetin shqiptar dhe mjekësinë shqiptare.

“Për fatin tim të keq edhe unë u shtrova për disa ditë në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe realiteti ishte krejt ndryshe nga ato që paraqesin mediat. Të njëjtin fat të keq pësoi edhe ime shoqe, e cila ndodhet e shtruar në ambientet e spitalit Infektiv të QSUT “Nënë Tereza”. Kohët e fundit gjendja ime shëndetësore ishte e rënduar, me një temperaturë që nuk binte nën 38,5 gradë. Pas kësaj erdhi ambulanca e “Urgjencës” dhe drejt e tek spitali “Shefqet Ndroqi”, tha ai.

“Hapi i parë dhe puna e parë ishte kryerja e analizave të gjakut dhe kryerja e një “skaneri”. Më pas kryerja e një grafie si dhe kryerja e tamponit. Pas këtyre veprimeve përfundova në katin e tretë të spitalit, përshtatur për kurimin e “Covid-19”. Sapo vura kurrizin mbi shtratin që më rekomanduan, menjëherë ia behu personeli mjekësor. Fillova t’i kundroj me vëmendje. Ajo që më ra në sy, ishte fakti i veshjeve të tyre. I kqyra me vëmendje. Izolimi i personelit mjekësor, fillonte tek koka dhe përfundonte në majë të këmbëve të tyre. Në kokë maska izoluese, në hundë e në fytyrë nga një e dy maska të tjera, si dhe nga një skafandër mbrojtëse për fytyrën. Veç kostumit të mjekut, mbi të ishin veshur pelerina, ndërkohë tek këpucët ishin veshur të tjera materiale izoluese. Personeli mjekësor ngjasonte nga pamja e jashtme, me astronautët e anijeve kozmike. Kjo për sa i përket anës së jashtme, apo sipërfaqësore”, tregon ai.

“Ajo që të bënte për vete ishte mënyra e komunikimit të këtij stafi. Duke na uruar shërim të shpejtë ata me qetësi e profesionalizëm kryenin detyrat e tyre, njësoj si bletët punëtore. Gjithmonë fjalëurtë, njerëzorë, thua ishin motrat e vëllezërit tanë. Puna në këtë zgjua bletësh vazhdonte në ritmin e duhur. Dalëngadalë u mësova, jo vetëm me radhën e punës, por nisa të njoh edhe shokët e dhomës. Gdhiu dita e parë në këtë ambient të ri ku puna vazhdonte non-stop 24 orë. Rreth orës 10 të ditës së nesërme një turmë prej 7-8 mjekësh ja behu në dhomën tonë. Disa syresh mbanin në duar dosjet dhe kartela. Një mjek trupmadh u drejtua edhe tek unë, duke më pyetur se çfarë shqetësimesh ndieja. I raportova. Ai komunikoi me mjekët të cilët shënuan diçka në kartelë. Dhe me radhë u intervistuam ne të sëmurët. Kur iku pyeta se kush ishte ky person dhe më thanë që quhej Perlat Kapisyzi, që kryente dhe detyrën e drejtorit të Spitalit. Më la përshtypje shumë të mirë. Dr. Perlati e kishte bërë zakon për të vizituar dy herë në ditë të sëmurët, madje edhe ditë të diele i vizitonte dy herë. Ç’mund të them më tepër për këtë mjek që gjatë ditëve në vazhdim me krijoi idenë e një njeriu tejet korrekt dhe profesionist”.

Por, shton Kelo, “nuk mund të lë pa përmendur edhe personelin tjetër mjekësor si Eritjan Tashi, Viola Ademaj, Majlinda Latifi, Valentina Hima, Gerald Hoxha, Flutura Mullaj, Kozeta Llaka, Djana Ndoci, Zinete Merdini, apo edhe sanitaret Pashako Bushaj, Lindita Daka, Suzana Shabani dhe Mimoza Vako”.

“Të gjithë punonjësit ishin kokëulur, të bindur deri në verbëri. Dhe të mos harrojmë faktin se në shtëpi ata kishin lënë njerëzit e tyre më të dashur, pjesëtarët e familjes. Por të ndërgjegjshëm për misionin fisnik që i kishte ngarkuar historia, përballeshin çdo ditë me sëmundjen famëkeqe. Dhe punonin si heronj të heshtur, ndonëse e dinin rrezikun me të cilin përballeshin dhe rrezikun që merrnin mbi shpinë. Si mund t’i quash ndryshe këta njerëz, përveçse HERONJ”, thotë ai.

“Megjithëse kanë kaluar dy ditë që lashë ambientet e spitalit më duket se ka një shekull. Më ka zënë malli për shokët e dhomës. Shoqëria e spitalit është edhe më e ngushtë e më e lidhur se ajo ajo e shkollës apo e ushtrisë. Kjo ndoshta për faktin se njerëzit i bashkon më shumë halli, se sa të mirat. Por mall kam edhe për ata që na shërbyen 24 orë, personelin mjekësor. Fjalët më të mira për këta punonjës duarartë, të punëve të shumta e të përkushtuar maksimalisht. Faleminderit të gjithë ju bluzave të bardha, për ç’ka keni bërë dhe vazhdoni të bëni! Ju ruajtë Zoti juve dhe familjet tuaja të nderuara! Për jetë të jetëve do të gëzoni respektin tonë maksimal”, përfundon ai.