Maqedonia
Rreziqet klimatike, aktivistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë masa urgjente
Qeveria dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore, thonë aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend.
Këto reagime pasojnë Raportin e ri të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, të titulluar “Raporti i klimës dhe zhvillimit të vendit”, i cili paralajmëron për rreziqet që vendi mund të përballet si pasojë e këtyre fenomeneve.
“Gëzohem shumë që së fundmi po dëshmohet ajo që për vite me radhë paralajmërohej nga organizatat joqeveritare dhe vullnetarët për rrezikun që na kërcënon dhe, fatkeqësisht, është populli ai që i vuan të gjitha pasojat nga puna joserioze për vite me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ambientalistja Elmedina Abdulahi.
Ajo nënvizon se masat urgjente janë të domosdoshme, pasi “rreziku është shumë i madh dhe vendi e ka përjetuar këtë disa herë”.
“Nuk ka nevojë të shkruhen në raporte. Ne kemi pasur vërshime në Maqedoninë e Veriut që kanë marrë edhe jetë, dhe kjo tregon seriozitetin e problemit që ne e kemi, edhe pse është fillimi tani. Pritet të jetë shumë më i madh”, thotë Abdulahi.
Në Raportin e Bankës Botërore thuhet se Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të ndjeshme ndaj katastrofave natyrore në Ballkanin Perëndimor, duke i veçuar përmbytjet dhe zjarret.
“Vendi ka një histori të gjatë përmbytjesh shkatërruese dhe e ardhmja do të sjellë më shumë ngjarje ekstreme të motit të paparashikueshëm, me intensitet të lartë, (për shembull, në formën e shirave të rrëmbyeshëm dhe valëve të të nxehtit)”, thuhet në Raport.
Në këtë drejtim, Abdulahi thotë se duhet të respektohen ligjet në fuqi dhe të zbatohen masat për mbrojtjen e mjedisit:“Ligjet i kemi shumë të mira, mirëpo ato ligje nuk zbatohen në terren”.
“Në vija të trasha, po theksoj se është shumë me rëndësi të bëhet mbrojtja e biodiversitetit, habitatit dhe e të gjitha specieve të cilat janë në zhdukje, të ndalohet prerja e pakontrolluar e druve që shton rrezikun. Duhet të bëhet mbrojtje e burimeve të ujit, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Të ketë kujdes për rregullimin e aktiviteteve të industrisë dhe atyre bujqësore, për të minimizuar ndikimin e tyre negativ në natyrë”.
“Dhe, më e rëndësishmja, nevojitet ngritja e vetëdijes dhe edukimi i shoqërisë dhe i të gjitha institucioneve dhe ndotësve kolektiv apo industrive, që të jenë sa më të vetëdijshëm për dëmin që e shkaktojnë”, thotë ambientalistja Elmedina Abdulahi.
Raporti, gjithashtu, paralajmëron se ndryshimet klimatike përkeqësojnë qasjen në ujë të pastër dhe rrisin rrezikun për sëmundje të transmetuara përmes ujit. Kurse, dëmet ekonomike janë më të ndjeshme në “sektorin e bujqësisë, ku fermerët familjarë janë më të prekurit për shkak të mungesës së sigurimeve bujqësore, sistemeve të ujitjes dhe mbrojtjes nga breshri”.
Në skenarin më pesimist, sipas Raportit, vendi mund të përballet me humbje deri në 4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2050, nëse nuk investon në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, për të kuptuar se cilat janë masat konkrete që kjo ministri planifikon të ndërmarrë për të përballuar rreziqet klimatike në vend, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë dhënë përgjigje.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, komunat më të rrezikuara nga zjarret dhe përmbytjet janë: komuna e Koçanit, Kavadarit, Kratovës, Negotinës dhe Velesit. Sipas rajoneve, ekspozim më i lartë ndaj ngjarjeve ekstreme të motit është regjistruar në rajonin e Vardarit, pastaj në rajonin lindor dhe atë verilindor.
Nga viti 2019, në Maqedoninë e Veriut janë djegur më shumë se 600 mijë metër kub dru. Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vjetët e fundit llogariten në 55 milionë euro.
Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror tregojnë se gjatë stinës së dimrit, qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10./ REL
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar













