Tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e naftës, duke rritur çmimet në pikat e furnizimit me karburant në Zvicër.
Çmimet e benzinës në Zvicër kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit. Sipas raportimeve, ato janë rritur me 10 deri në 15 për qind krahasuar me javën e fundit të muajit shkurt, pra para se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të ndërmerrnin sulme ajrore ndaj Iranit, përcjell albinfo.ch.
Mund të arrijë deri në 2 franga për litër
Sipas Roland Bilang, drejtor i organizatës Avenergy, e cila përfaqëson profesionistët e tregut të naftës, rritja e çmimeve pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Ai paralajmëron se çmimi i benzinës mund të arrijë deri në 2 franga për litër, nga rreth 1.70 franga për litër sa është aktualisht për benzinën pa plumb 95.
Nuk priten mungesa të karburantit
Megjithatë, Bilang thekson se nuk priten mungesa të benzinës në Zvicër. Sipas tij, tregu global vazhdon të jetë i furnizuar mirë me naftë, gjë që siguron stabilitet në furnizimin me karburant edhe për tregun zviceran.
Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me pasigurinë gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme, të cilat shpesh ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.