Lajme

Rriten primet e sigurimit të veturave në Zvicër

Primat e sigurimit të veturave në Zvicër janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, duke prekur rreth 45% të pronarëve të automjeteve, sipas një sondazhi të realizuar nga platforma krahasuese Comparis me rreth një mijë të anketuar.

Sipas sondazhit, shumica e shoferëve paguajnë mes 500 dhe 1.599 franga zvicerane për sigurimin e veturës. Ndër ata që kanë raportuar rritje të çmimit, rreth një e treta kanë paguar mbi 100 franga më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në disa raste rritja arrin deri në 200 franga.

Analiza tregon se rritja e primeve nuk lidhet domosdoshmërisht me aksidente apo dëme, pasi 80% e të anketuarve deklaruan se nuk kanë pasur asnjë kërkesë për dëmshpërblim gjatë vitit të kaluar.

Pavarësisht kostove më të larta, vetëm 6% e shoferëve kanë ndryshuar kompaninë e sigurimit, ndërsa një pjesë e madhe vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin sigurues për shumë vite. Sipas Comparis, ndryshimi i siguruesit mund të sjellë kursime prej të paktën 200 frangash për disa klientë.