Integrimi

Rrugëtimi i suksesshëm gjashtëdhjetëvjeçar i “FABIA-s” nga Lucerni

Në ekspozenë e tij, udhëheqësi, Hamit Zeqiri preku shumë fusha të përditshmërisë që lidhen me emigracionin, si siguria, raportet sociale, njohja sociale, vetë realizimi etj.

Me rastin 60-vjetorit të themelimit të FABIA-s – Qendrës kompetente për Migracion, në një nga sallat e hotelit Kontinental të Lucernit, më 2 qershor 2022 u mbajt takimi vjetor, i 61-ti me radhë, i FABIA-s. Në praninë e anëtarëve të kësaj organizate, me një fjalë rasti, të pranishmit i përshëndeti kryetarja e Bordit, zonja Gerda Jung.

Nga raporti i zonjës Jung shihet se vitin që lamë pas është punuar në shumë drejtime strategjike dhe se për punën e mëtejme madje është ngulur një “kunj” që përkufizon moton: Ndryshimet sjellin zhvillim të mëtejshëm! Shi për këtë, projektet dhe këshillimet profesionale tashmë janë shtuar nëpër komuna. Pa dyshim, kjo është arritur falë angazhimit enorm të ekipit të FABIA-s, për çka zonja Jung shprehu mirënjohje të thellë. Me këtë rast ajo falënderoi edhe klientët e besueshëm të FABIA-s për bashkëpunimin e mirë. “Të motivuar nga viti i suksesshëm 2021, ne po kalojmë në vitin 2022, në të cilin tashmë edhe po festojmë 60-vjetorin e FABIA-s”, tha veç tjerash kryetarja Gerda Jung.

Më pas, udhëheqësi i FABIA-s, z. Hamit Zeqiri, shpalosi programin e detajuar nga të arriturat e deritashme të organizatës që ai udhëheq, duke bërë të ditur se, tash e 60 vjet, FABIA angazhohet për një bashkëjetesë të mirë të të gjithë njerëzve në kantonin e Lucernit. Për gjashtë dekada me radhë janë këshilluar dhe mbështetur me tema integrimi emigrantët, personat profesionalë dhe zyrtarët.

Përkundër kushteve të vështirësuara gjatë pandemisë së koronës, FABIA ka realizuar pothuajse të gjitha synimet dhe shërbimet e parapara. Madje, pjesërisht, disa këshillime, manifestime dhe kurse gjuhësore janë realizuar online.

Në ekspozenë e tij, z. Zeqiri preku shumë fusha të përditshmërisë e që lidhen me emigracionin si rrjedhojë e kërkimit për një jetë më të sigurt e më cilësore, duke u nisur nga nevojat elementare, siguria, raportet sociale, njohja sociale, vetë realizimi etj.

Me shifra e fakte, z. Zeqiri, me mjaft kompetencë, foli për migrimin e qytetarëve qoftë brenda një rajoni ose edhe jashtë kontinenteve respektive. Sidoqoftë, vend meritor në paraqitjen e tij i dha Informimit dhe Këshillimit. Ai tha se gjatë vitit 2021, në FABIA, 2621 persona kanë kërkuar informacione ose këshilla; janë realizuar 3140 biseda këshilluese personale. Kjo pasqyron edhe rritjen e diversitetit. Pra, heterogjeniteti në konsultime është rritur krahasuar me një vit më parë. Ta zëmë ne i kemi këshilluar 72 persona nacionalitetesh të ndryshme nga 53 komuna. Pjesa dërmuese e këtyre njerëzve kanë qenë nga hapësira EU/EFTA, ndërsa interesimi i tyre është përqendruar në statusin e qëndrimit, punësimit, bashkimit familjar etj.

 

Udhëheqësi i FABIA-s, z. Hamit Zeqiri foli edhe për rolin e paragjykimeve, sidomos ndaj emigrantëve, prandaj kërkoi që të ketë sa më shumë kontakte të ndërsjella, madje edhe duke vizituar vendin e tyre të prejardhjes. Me këtë rast ai përmendi vizitën e një grupi zviceranësh, disa edhe anëtarë të FABIA-s, të realizuar ditë më parë në Kosovë, ku u njoftuan më për së afërmi me kulturën, traditën dhe zhvillimet në shtetin e Kosovës. Nga kjo vizitë ata u kthyen me paragjykime plotësisht të thyera, dhe me një pasqyrë shumë më pozitive për realitetin kosovar. Ata arritën që t’i “prekin” pasojat psikike dhe fizike të luftës së fundit në Kosovë, por edhe të entuziazmohen me vullnetin e kosovarëve për shtetndërtim.

Në fund të paraqitjes së tij, z. Zeqiri edhe njëherë përkujtoi anëtarësinë dhe mysafirët e pranishëm të këtij manifestimi jubilar se kush është dhe çfarë bën FABIA:

  • Ne promovojmë dialogun midis emigrantëve dhe vendasve;
  • Ne shoqërojmë dhe fuqizojmë individë, grupe si dhe institucione dhe organizata private dhe publike;
  • Ne inkurajojmë dhe kërkojmë për sa i përket pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë së përbashkët;
  • Ne veprojmë në partneritet dhe vendosim nevojat e klientëve tanë në radhë të parë.

Në vazhdim, sipas programit, u shfaq filmi i shkurtër “Rritemi së bashku” në të cilin u prezantuan emigrantë dhe jo emigrantë si dhe përvoja me storje suksesi të disa individëve me prejardhje nga Italia, Zvicra, Kosova, Meksiko, Sri Lanka, Siria, Spanja, Gjermania, Eritrea etj.

Për temën “Migrimi në Zvicër nga “Gastarbeiterët” e viteve 1960 e deri në Zvicrën e sotme postmigrante” foli ekspertja e diversitetit, zonja Inés Mateos, e cila evaluoi atapa të ndryshme të zhvillimit të Zvicrës, por edhe të integrimit të emigrantëve në shoqërinë zvicerane.

Manifestimi u shoqërua me dy paraqitje muzikore të këngëtares shqiptaro-zvicerane të xhazit, zonja Elina Duni dhe kitaristit Rob Luft. Interpretimi i disa këngëve në shqip, gjermanisht, frëngjisht, italisht, arabisht etj., me një ritëm melankolik, shpesh, krahas kitarës, të shoqëruar edhe me tinguj të defit, kënaqi dhe impresionoi tej mase të pranishmit, për çka zonja Duni dhe z. Luft morën duartrokitje të gjata mirënjohëse.

Për fund, organizatori shtroi një apero për mysafirët e shumtë të këtij manifestimi jubilar të FABIA-s.

(Teksti: Xhevdet Kallaba; Fotot: Carlos Soto)