Lajme

Samiti IV-të i Diasporës Shqiptare në Tiranë, 14–15 prill 2026

Rreth 2.26 milionë shqiptarë jetojnë aktualisht jashtë vendit të lindjes, duke përbërë një prani të konsoliduar me peshë të ndjeshme në zhvillimet ekonomike, profesionale dhe kulturore në hapësira të ndryshme ndërkombëtare. Përmes investimeve, angazhimit në rrjete akademike e profesionale, si dhe përmes promovimit të identitetit kulturor, diaspora shqiptare ruan një marrëdhënie të qëndrueshme dhe funksionale me Shqipërinë.

Në këtë kontekst zhvillohet Samiti IV i Diasporës Shqiptare, i cili do të mbahet në Tiranë më 14–15 prill 2026. Ky takim synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të diasporës, duke krijuar një platformë të strukturuar dialogu dhe koordinimi për projekte konkrete zhvillimore.

Samiti pritet të mbledhë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga kontinente të ndryshme, ekspertë të fushave të ekonomisë, arsimit, inovacionit dhe kulturës, si dhe përfaqësues të sektorit publik dhe privat. Organizimi realizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, në kuadër të përpjekjeve për konsolidimin e rolit të diasporës në politikat afatgjata të zhvillimit të vendit.