Tematike

Schawinski: Me Shaqirin “Hero të Zvicrës” dhe kundër kosovarëve tjerë!

Të mërkurën, Shaqiri, në faqen e parë të Blick-ut trajtohet si hero i Zvicrës. Por, javën tjetër fushata antikosovare vazhdon...

Roger Schawinski, është një publicist dhe moderator i vlerësuar në gjithë hapësirën kulturore gjermane, i njohur më shumë për meritën e tij si gazetari i parë që ka guxuar të themelojë dhe drejtojë radio dhe televizione private. Ai çmohet për gjuhën e tij të mprehtë dhe për idetë kreative që i plason jo vetëm në radio e televizion por edhe në kolumnet e tij në gazeta të ndryshme.

Në kolumnen e tij të botuar në numrin e djeshëm të “Sonntags Zeitung”, Schawinski merret në një mënyrë të veçantë me temën e muajit në Zvicër: “kosovarët e dhunshëm”.

Por, ai assesi nuk i bashkohet korit të sulmuesve, përkundrazi, Schawinski drejton tehun e tij të kritikës ndaj atyre që bëjnë ndërsimin kundër kosovarëve, respektivisht ai ironizon me fushatën e SVP-UDC-së kundër kosovarëve dhe me gazetën Blick, e cila, sipas tij, për qëllime përfitimi, i bën jehonë kësaj fushate.

“Super! Kosovari gjuan bullgarin”. Kështu titullohet kolumneja e Schawinskit, e cila fillon me këtë pasus interesant: “Diego (Benaglio) hedh topin te Djurou (Johan). Ky ia përcjell Blerimit (Xhemailit), dhe prej tij topi përmes Erenit (Derdiyok) shkon te Nasimi (Ben Khalifa). Përmes Admirit (Mehmedi) dhe Gökhan-it (Inler), topi përfundimisht vjen te Xherdani (Shaqiri) i cili shënon golin e tij të tretë për Zvicrën. Dhe Ottmar-i (Hitzfeld) brohorit”.

Në gjithë pasusin, autori ka marrë qëllimisht emrat e lojtarëve me prejardhje të huaj, të cilët kontribuojnë për kombëtaren zvicerane, të kryesuar nga trajneri Hitzfeld, i cili po ashtu nuk është nga Zvicra por nga Gjermania. Këtë lojë fjalësh ai e ka bërë për të ironizuar me SVP-DCU-në.

“Jo, kombëtarja jonë e futbollit nuk është një ekip ëndrrash për SVP-në”, shkruan Schawinski. “Një ekip të tillë mund ta gjesh vetëm te “Schwinger”-ët (garat e mundjes tradicionale zvicerane), ku pa dyshim, si mbret i mundjes do të shpallet gjithmonë një zviceran denbabaden. Por, në fushat ku, sikur në futboll, kërkohen performanca të nivelit ndërkombëtar, janë secondo-t ambiciozë nga Ballkani ata që e thonë fjalën kryesore.

Fundja, ata që e kërkojnë fatin në një vend të huaj janë të shumtën njerëzit e guximshëm e ambiciozë e jo njerëzit pasivë. Dhe, është në favor të Zvicrës që shumë prej tyre janë te ne”.

Për këtë arsye, tabloja e “të huajve kriminelë” është jo vetëm e njëanshme por edhe e gabuar”, vazhdon Schawinski.

Më tutje ai i vë në valë të njëjta SVP-UDC-në me gazetën “Blick”. “Është fatale kur një parti populiste dhe një gazetë bulevardeske, e fiksuar vetëm në rritjen e tirazhit, përdorin të njëjtat parulla ksenofobike. Kështu SVP ishte shërbyer me Blick-un kur e kishte përpiluar afishen e vet zgjedhore `Kosovarët therin zviceranët`. E kishte bërë këtë, me vetëdijen dhe qëllimin e plotë, për të irrituar”.

Si pikë e parë, (te therja) fjala është për një rast të veçuar, arsyeton autori,  dhe jo, ashtu siç insinuohet, për një fenomen të përgjithshëm në mes të dy popujve. Së dyti, zvicerani, përmes therjes, për fat të mirë nuk pësoi plagë të rënda ose vdekjeprurëse, siç do të mund të konstatonte lexuesi i yshtur nga afishja. I sulmuari, vërtetë pësoi plagë që dhembin, por pas katër ditësh ai tashmë ishte lëshuar nga spitali.

E gjithë kjo nuk i bën fare përshtypje kryeredaktorit të gazetës Blick, i cili do të kthehej urgjentisht nga Berlini, për të nxjerrë përfitimin nga “puna e djallit” për gazetën e tij. Por meqenëse, sipas hulumtimeve, rritja e tirazhit deri tash nuk ka ndodhur, ai me kryetituj të tillë dashakëqij do të vazhdojë të godasë dhe kështu t`i sigurojë SVP-së tekste të reja për afishet e saj.

Schawinski, në fjalinë përmbyllëse vë pikën mbi hipokrizinë e gazetës Blick dhe të disa qarqeve të ngjashme. “Të mërkurën që shkoi, Xherdan Shaqiri – i cili është jashtëzakonisht krenar për identitetin e tij kosovar – do të trajtohej si hero nacional i Zvicrës, në faqen e parë të Blick-ut. Por, që në javën tjetër në vijim, fushata e mjerë antikosovare do të vazhdojë tutje”.