Lajme

A do të ulet përfaqësuesi i SHBA-së në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi

Edhe pse nga opozita në vend po kërkohet përfshirja e një emisari special nga Amerika në dialogun Kosovë- Serbi, Ambasada Amerikane në Kosovë thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“SHBA vazhdon ta mbështesë procesin e udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për portalin arbresh.info, përcjell Albinfo.ch.

E të mërkurën, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takua me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Mathew Palmer.
“Nuk është për t’u habitur që ne folëm për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun”, ka shkruar Lajçak në lidhje me këtë takim.

A do të ketë një emisar special amerikan për Ballkanin? Ish-koordinatori shtetëror në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, mendon se presidenti Joe BIden shumë shpejt do të emërojë një emisar të veçantë për Ballkanin.

“Unë nuk mund të paragjykoj, por besoj që presidenti Biden së shpejti do të emërojë një emisar të veçantë për Ballkanin, i cili do të jetë adresa kryesore në Uashington sa i përket koordinimit BE-Uashington”, ka thënë ish-koordinatori Skender Hyseni.

Përfshirjen e një të dërguari të posaçëm nga Amerika po e kërkon edhe opozita në vend.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se do të ishte me dobi emërimi i një emisari nga SHBA-ja për dialogun.

“Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës së SHBA-së në dialog. Kjo e prish balancën e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari nga SHBA-ja për dialogun”, ka deklaruar Haradinaj.

Po ashtu edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kurtin ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë.

“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërisht e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Në lidhje me këtë çështje nuk kanë dashur të deklarohen në Qeverinë e Kosovës, pavarësisht interesimit të portalit në fjalë.