Kosova
Zgjidhje, zgjedhje apo bllokadë për Presidentin?
Kurti zhvilloi vetëm një takim me Abdixhikun, ndërsa marrëveshja politike mbetet e paqartë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme përmenden si skenar i mundshëm
Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë javë e kishte cilësuar si javë të takimeve me liderët e partive politike për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, deri më tani është zhvilluar vetëm një takim – ai me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të hënën. Takime të tjera nuk pritet të ketë, ndërsa LVV-ja dhe PDK-ja nuk kanë konfirmuar nëse do të mbahet apo kur mund të zhvillohet takimi mes Kurtit dhe Bedri Hamzës, përcjell albinfo.ch.
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se nëse partitë janë realisht të interesuara për të gjetur një zgjidhje, atëherë duhet të arrijnë marrëveshje për një kandidat konsensual, pa prapavijë partiake. Në të kundërtën, sipas tij, partitë duhet të deklarohen qartë nëse synojnë të shkojnë në zgjedhje të reja.
Ai ka theksuar se zgjedhja e Presidentit kërkon kompromis mes pozitës dhe opozitës, ndërsa hyrja në zgjedhje do të ishte një opsion vetëm nëse partitë kanë interesa politike për të ndryshuar raportet e forcave në Kuvend.
Ndërkohë, analisti politik Lutfi Bilalli beson se negociatat ndërmjet partive mund të sjellin përparim, duke vlerësuar se takimi Kurti–Abdixhiku kishte krijuar pritshmëri për një zgjidhje të shpejtë. Megjithatë, ai thekson se çështja e Presidentit po shndërrohet në një temë të pakuptueshme për opinionin publik dhe se partitë duhet të kenë parasysh interesin e qytetarëve, përballë vështirësive ekonomike dhe rritjes së kostos së jetesës.
Një qëndrim më kritik ka shprehur analisti Blerim Canaj, i cili vlerëson se mungesa e marrëveshjes politike vjen si pasojë e mosbesimit të partive opozitare ndaj Kurtit. Sipas tij, zvarritja është humbje kohe, pasi asnjë parti nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit, duke e bërë kompromisin të domosdoshëm. Canaj thekson se përgjegjësia kryesore për arritjen e marrëveshjes i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si forca më e madhe politike në vend.
Në mungesë të një marrëveshjeje, janë shtuar zërat se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë e vetmja rrugë për tejkalimin e krizës institucionale. Mirëpo, Bilalli shprehet skeptik, duke thënë se zgjedhjet nuk garantojnë zgjidhje dhe mund të prodhojnë kriza të përsëritura. Ndërsa Canaj nuk e përjashton këtë mundësi, duke theksuar se zgjedhjet mund të ndodhin nëse mungon gatishmëria e Kurtit për negociata reale dhe nëse nuk ndërtohet besimi mes palëve.
Aktualisht, LVV-ja vazhdon të insistojë në dy kandidaturat e saj për President: Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të votojnë për asnjë kandidat partiak, duke e lënë procesin ende të bllokuar dhe pa një epilog të qartë. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Nderohet soprano shqiptare Ermonela Jaho “E pranoj këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e prite... -
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ -
Kurti takim me studentët shqiptarë në Zvicër -
Politikanët shqiptarë të Zvicrës kundërshtojnë nismën “Jo Zvicrës 10 milionëshe” -
Rusia sulmon kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev
Jeta në Zvicër
-
Zug nis matjen zyrtare të çmimeve të qirave Kantoni më i shtrenjtë në Zvicër po kërkon më shumë transparencë në tregun e banesave... -
Zviceranët punojnë më pak se mesatarja evropiane -
LDK me tubim në Vjenë të Austrisë, marrin mbështetje nga bashkatdhetarët -
Zvicra po rritet më shpejt se pjesa më e madhe e Evropës -
Debati për “10 milionë banorë” në Zvicër: Kush po emigron realisht?












