E-Diaspora

Shpatijet kosovare, ideale për motokrosistët nga Zvicra

Dy nga turistët zviceranë, Manuel Herzog dhe Michael Scheiden rrëmbyen dy vendet e para në garën e motokrosit të mbajtur të shtunën në Gjilan

Ka disa ditë që një grup simpatik me turistë zviceranë po kalojnë pushimet në Kosovë. Ata kanë zënë vend në një hotel të vogël në hyrje të Gjilanit dhe  nga aty pas çdo mëngjesi ikin me vrap nga tollovia e qytetit. Ndonëse tingëllon çuditshëm, qëllimi i vizitës së zviceranëve është relaksimi me natyrën e Kosovës. Mirëpo nuk janë alpinistë që marshojnë me kilometra rrugë këmbë për të exploruar bukuritë natyrore larg vendbanimeve. Ky grup zviceranësh janë motoristë të tipit malor, motokros, dhe terreni malor i Kosovës  për ta është i përkryer. Nuk ka asnjë kufizim nga organet komunale ndërkohë që prezenca e tyre në mesin e popullatës shihet me simpati e me respekt.

Organizatori i grupit të motoristëve zviceranë, Ueli Herzog, pushimin në Kosovë me 24 motokrosa të sjellë enkas me kamionë e shpjegon me faktin se në Zvicër qëndron problemi tek pajisja me leje për ngasjen e tyre jashtë rrugëve të parapara për komunikacion. Kurse në Kosovë ky problem nuk qëndron, tha ai. Këtu në Gjilan është thjeshtë  mirë, na pëlqen terreni jashtëzakonisht shumë. Nuk është shumë i ashpër dhe është i përshtatshëm edhe për ata me përvojë të mangët në këtë sport.

Në shoqëri të turistëve zviceranë janë Qemajl Sermaxhaj që jeton në Zvicër dhe dy gjilanasit Alban Beqiri dhe Nijazi Starabaja me anëtarë të tjerë të klubit motokros Gjilani MC06. Të cilët duke përfituar nga përvoja e zviceranëve kanë organizuar një garë ndërkombëtare nën pantronatin e kuvendit komunal të Gjilanit dhe Departamentit të Sportit të kësaj komune e cila është mbajtur ë shtunën në dalje të Gjilanit, afër fshatit Stanishor. Në këtë garë të ndarë në tri kategori E1-125 kubikë, E2 plus 250 kubikë dhe E3  në kategori hobby kanë marrë pjesë 24 zviceranë dhe garues tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Dy vendet e para të kategorisë E1 dhe E2 i kanë zënë zviceranët, Manuel Herzog dhe Michael Scheiden të cilët kishin kohën më të mirë në shtegun malor prej 8.5km gjatësi.  

Organizatorët e kësaj gare u shprehen në superlativ për turistët zviceranë. „Zviceranët janë super njerëz. Janë në maksimum, sillen shumë mirë. Plus dhe na ndihmojnë neve me pajisje e me gjithçka që i nevojitet këtij sporti“, tregon përmes telefonit Albani që nga kjo garë kishte dalë i dyti pas Michaelit.

Udhëheqësi i grupit zviceran, Ueli Herzog  shpreh mirënjohjen më të thellë për mikpritjen që kanë gjetur në Gjilan. „Kam udhëtuar gjithkah nëpër botë, por unë kurrë në jetën time nuk kam hasur në kaq shumë mikpritje sikurse këtu në Kosovë. Njerëzit janë shumë mikpritës, të sjellshëm“. Ushqimi është shumë i mirë. Gjithçka është shumë e mirë këtu, tregon biznesmeni 54 vjeçar i një firme të qumështit. I cili  sivjet viziton Kosovën për herë të dytë, mirëpo kësaj radhe i është bashkangjitur edhe djali 27 vjeçar, Manuel Herzog.

Nisur nga kjo përvojë, mund të them se kjo ishte një garë shumë mirë e organizuar. Duke bërë krahasimin që ne organizojmë gara të motocrossit edhe në Zvicër, kjo këtu në Gjilan, nisur nga kushtet që kishmn në dispozicion, ishte e klasit botëror. Janë vërtetë të mrekullueshëm. E mbi gjitha fituesi i vendit të dytë Alban Beqiri, tregoi që është një garues i shkëlqyer. Teknikisht është në nivel të lartë, prandaj ne duam që atë ta marrin në Zvicër për stërvitje.

I pytur për dallimin mes shqiptarëve që jetojnë në Zvicër dhe shqiptarëve që i kanë takuar në Gjilan, Ueli thotë, „më vjen keq nëse flas kështu, por shqiptarët  e Zvicrës nuk janë  sikurse se shqiptarët që i kemi takuar këtu“. Dhe në fund dua edhe një herë ta them, që ne jemi shumë të kënaqur që guxojmë të jemi këtu në Kosovën dhe që është jashtëzakonisht mirë. Jemi shumë të lumtur, u shpreh për albinfon në fund të bisedës Ueli Herzog.

Bekim Dalipi