Lajme
Shpenzimet e funeralit në Zvicër arrijnë mijëra franga dhe shpesh bëhen barrë për familjet
Shpenzimet për organizimin e një funerali në Zvicër mund të arrijnë shumë shpejt në disa mijëra franga. Përveç dhimbjes për humbjen e një personi të dashur, familjet përballen shpesh edhe me procedura të ndërlikuara organizative dhe kosto të larta, që e bëjnë periudhën e zisë edhe më të vështirë financiarisht.
Pas vdekjes së babait të saj, Isabelle Roch u detyrua të organizonte shpejt ceremoninë mortore. Vetëm fatura bazë nga shtëpia funerale arriti në 3.331 franga zvicerane. Në këtë shumë përfshiheshin arkivoli, transporti i trupit, përgatitja dhe veshja e të ndjerit, vendosja në arkivol si dhe disa tarifa administrative.
Megjithatë, përveç këtyre shërbimeve bazë që ofrohen nga shumica e kompanive funerale, familjet përballen edhe me shpenzime shtesë. Ceremonia mortore, lulet, pritja për të afërmit apo publikimi i njoftimit të vdekjes në media lokale mund ta rrisin ndjeshëm faturën përfundimtare.
Për të publikuar njoftimin e vdekjes së babait të saj në gazetën Tribune de Genève, Isabelle Roch pagoi 783 franga, një shpenzim që nuk e kishte parashikuar.
Çmime jo gjithmonë të qarta
Industria funerale përbën një treg të madh në Zvicër, ku çdo vit regjistrohen rreth 70.000 vdekje. Edhe pse që nga viti 2012 një rregullore federale detyron kompanitë funerale të shfaqin çmimet në ambientet e tyre, familjet shpesh e kanë të vështirë të parashikojnë koston totale të një funerali.
Adrien Borioli, drejtues i një kompanie funerale, ka vendosur të publikojë një vlerësim të çmimeve në faqen e tij të internetit, një praktikë ende e rrallë në këtë sektor. Sipas tij, mungesa e këtyre informacioneve nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesë transparence.
“Organizimi i një funerali përfshin shumë detaje që ndikojnë në çmimin përfundimtar. Kur ofrohet mbështetje e plotë për familjen dhe kryhen të gjitha procedurat e nevojshme, fatura mesatare mund të arrijë rreth 6.000 franga”, shpjegoi ai në emisionin Basik të RTS.
Gjithnjë e më shumë planifikime paraprake
Në Zvicër, më shumë se 80% e qytetarëve zgjedhin kremacionin. Për banorët e disa qyteteve si Gjeneva, Lozana apo Sioni kjo procedurë është falas, ndërsa për personat që nuk janë rezidentë tarifat mund të jenë të konsiderueshme: rreth 680 franga në Gjenevë, 830 franga në Lozanë dhe 600 franga në Sion.
Pavarësisht nëse bëhet kremacion apo varrim, trupi duhet të vendoset në një arkivol. Me rreth 28.000 arkivole të prodhuara çdo vit, kompania Egli Sargproduktion konsiderohet lider në treg. Drejtori i saj, Andreas Egli, vëren se familjet po priren drejt zgjidhjeve më të thjeshta.
“Shpesh familjet zgjedhin një arkivol të thjeshtë dhe më pas përqendrohen në zgjedhjen e një urne më të bukur”, shpjegon ai.
Sipas ligjit, shpenzimet e funeralit mbulohen nga trashëgimtarët. Për të mos i lënë familjes këtë barrë financiare dhe organizative, gjithnjë e më shumë persona në Zvicër po zgjedhin të planifikojnë dhe financojnë funeralin e tyre paraprakisht, përmes kontratave të posaçme që lidhen gjatë kohës që janë ende gjallë.
E-Diaspora
-
3 nga 4 viktimat në aksidentin e Vjenës janë shqiptarë Një aksident i rëndë ka ndodhur në Vjenë, Austri, ku një skelë ndërtimi u shemb. Katër... -
E rëndë: Mërgimtari nga Skenderaj humb jetën tragjikisht në vendin e punës në Austri -
Revista e manifestimit “Kurora e Lirisë”, një publikim që sjell standard të ri -
Gjermani
Blendi Krasniqi zgjidhet në parlamentin e qytetit të Nidda-s -
Two.jobs sjell inovacion në rekrutimin përmes rrjeteve sociale në festivalin “HR Festival Europe 2026”
Jeta në Zvicër
-
Shqiptari i mbijetuar rrëfen për Blick tmerrin në autobusin e djegur në Kerzers të Zvicrës Faton Morina, 32 vjeç, turist nga Kosova, ishte në autobusin postar kur ndodhi tragjedia që la... -
Sindikatat kërkojnë që 1 Maji të shpallet ditë pushimi kombëtare në Zvicër -
Zvicra përballet me debat të fortë: Rritja e TVSH-së për ushtrinë dhe pensionet kundërshtohet nga shumica e qytetarëve -
Policia e Neuchâtel-it shton përpjekjet kundër mashtrimeve me “policë të rremë” që synojnë të moshuarit -
Ekonomia zvicerane mbetet ndër më të qëndrueshmet në Evropë










