Shqipëria
Shqipëria i jep dritën e gjelbër Kushnerit: Cili është plani për Sazanin?
Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Donald Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit, që aktualisht është bazë ushtarake.
Komiteti për Investime Strategjike, që udhëhiqet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, më 30 dhjetor ka pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, për projektin prej 45 hektarësh në ishullin e Sazanit. Projekti parasheh një investim prej 1.4 miliard eurosh.
Në vendimin e shkruar, që u bë publik më 15 janar, Komiteti tha se projekti ishte në përputhje me ligjet për investime strategjike dhe përmbushi numrin e vendeve të punës që kërkohet me ligj, duke theksuar se në të vlerësohet se do të punësohen 1.000 persona.
Sipas ligjit, dhënia e statusit të investitorit strategjik lejon kompaninë që të zbatojë projektin që vlerësohet strategjik në një sektor të ekonomisë, siç është turizmi.
Po ashtu, ky status do të bëjë që projekti “të përfitojë nga procedurat e përshpejtuara dhe përfitime të tjera”.
Statusi i investitorit strategjik, kompanisë së Kushnerit i është dhënë për periudhën 10-vjeçare.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet përmes krijimit të një entiteti të përbashkët ligjor”, tha Komiteti, duke shtuar se në projekt do të përfshihet Korporata shtetërore e Investimeve Shqiptare.
Tani, Qeveria shqiptare tha se do të punojë me partnerët amerikanë për ta pastruar zonën nga çdo municion i mundshëm i mbetur nën tokë dhe për të adresuar çdo shqetësim tjetër mjedisor dhe ligjor para se projekti të vazhdojë.
Shqipëria tha se ka të drejtë të revokojë vendimin, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit. Po ashtu, shtetit shqiptar, u tha në dokument, i është dhënë edhe opsioni i daljes nga ky investim.
Projekti i investimit do të ndahet në tri faza, por në vendimin e publikuar nuk jepen detaje se çfarë përfshin secila prej tyre.
Plani i Kushnerit për Sazanin
Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri.
Kushner kishte deklaruar se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët.
Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun.
Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
Në të kaluarën, sa i përket Zvërnecit, Qeveria shqiptare kishte thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar ndonjë shprehje interesi lidhur me këtë investim.
Planet e Kushnerit ishin përballur me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare.
Në mars të vitit të kaluar, ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi ishullin e Sazanit.
Ky ishull për dekada të tëra ishte i mistershëm. Në të dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake, para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Tani, herë pas here, ky ishull në Vlorë përdoret nga ushtria e Shqipërisë dhe NATO-ja./REL
E-Diaspora
-
“Albakult” përfaqëson kulturën shqiptare në një nga ngjarjet më të mëdha multikulturore në Zvicra Komuniteti shqiptar në Bern merr pjesë në festivalin multikulturor... -
Vjenë
Autopsia e viktimave kosovare në Vjenë nis pas aksidentit tragjik në kantier -
Në mesin e viktimave në Vjenë është edhe një ish-veteran i UÇK-së -
Tragjedia në Austri, Ministria e Diasporës: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri shpreh dhimbje dhe solidaritet
Jeta në Zvicër
-
“Albakult” përfaqëson kulturën shqiptare në një nga ngjarjet më të mëdha multikulturore në Zvicra Komuniteti shqiptar në Bern merr pjesë në festivalin multikulturor... -
Në kohë trazirash, vendimet kërkojnë maturi -
Formula e rrezikshme për foshnjat shitet ende në Zvicër, pavarësisht premtimeve të autoriteteve -
Rritje e konfiskimeve të narkotikëve dhe cigareve kontrabandë në Zvicër -
Çmimet në Migros dhe Coop nën lupë: A po mashtrohen konsumatorët nga etiketimet














