Shqipëria

Shqipëria në fokus të GEO Magazine: Destinacion turistik me rritje të jashtëzakonshme

Shqipëria po vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion turistik i larmishëm. Revista e njohur franceze, GEO Magazine, i ka kushtuar së fundmi një artikull vendit tonë, duke e përshkruar atë si një kombinim unik të plazheve, maleve, natyrës magjepsëse dhe trashëgimisë kulturore e historike.

Në artikull përmenden ndikime të ndryshme kulturore, duke nisur nga greke, romake e bizantine, deri te arkitektura veneciane dhe osmane. Po ashtu, revista thekson Kanunin, një kod mesjetar nderi, si dhe elemente të veçanta arkitekturore të kryeqytetit, Tiranës, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e turizmit theksojnë se kjo oferta e pasur ka ndikuar në rritjen e vizitorëve të huaj, ku në vetëm pesë vite, Shqipëria ka shënuar një rritje prej 80% të turistëve të huaj.

Analistët e fushës shprehen se artikuj të tillë ndërkombëtarë jo vetëm rrisin profilin turistik të vendit, por edhe promovojnë historinë, kulturën dhe natyrën shqiptare në një audience globale.