Lajme

Shqiptarët në Holandë protestojnë në Hagë, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Diaspora shqiptare i bashkohet protestave në Shqipëri, duke kërkuar ndryshime politike dhe luftë më të ashpër kundër korrupsionit.

Shqiptarët që jetojnë në Holandë kanë organizuar një protestë në Hagë në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me protestuesit në Shqipëri përmes këngëve dhe thirrjeve patriotike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas organizatorëve, protesta kishte për qëllim të përcillte mesazhin e mbështetjes së diasporës për kërkesat e qytetarëve në Shqipëri, të cilët prej ditësh po protestojnë për ndryshime në skenën politike të vendit.

Protestuesit kërkuan forcimin e luftës kundër korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.

Tubimi në Hagë vjen në një kohë kur protesta të ngjashme janë organizuar edhe nga komunitete shqiptare në vende të tjera evropiane, duke reflektuar interesimin dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimet politike në Shqipëri.

Ndërkohë, në Shqipëri është paralajmëruar një tjetër protestë kombëtare, e cila pritet të shënojë ditën e 11-të të mobilizimit qytetar dhe të mbledhë protestues nga qytete të ndryshme të vendit. /Albinfo.ch