Integrimi

Shqiptarozviceranët nën trysni

Si shqiptarozviceranë duhet të jemi vigjilentë dhe proaktivë. Së pari duke mos reduktuar prezencën tonë historike në fushën e futbollit, edhe pse lojtarët shqiptarozviceranë të Natit kanë, që me vite, një ndikim pozitiv marramendës në perceptimin tonë në Zvicër

Polemikat e fundit që kanë lindur pas lojës Zvicër-Serbi dhe që janë thelluar ditëve të fundit pas  moskualifikimit të Zvicrës në Botërorin 2018, të lene nje shije të hidhur. Nga kjo trsyni në opinion që ka në shënjestër komunitetin shqiptarozviceran, mund të nxirret një paralele me ate që kishte ndodhur para ca viteve në Francë,  ku lojtarët me prejardhje të huaj u transformuan nga heronj në francezë të dyshimtë.

Veç kësaj, kjo krizë len poashtu të kupohet se integrimi i fokusuar vetëm përmes futbollit është thikë me dy teha për komunitetin tonë.

Sindromi francez « Kaltër, Bardh, Gjalp » (Bleu, Blanc. Beurre)

Kur në vitin 1998 Franca pati fituar Kupën Botërore të futbollit që u mbajt në Francë, politika, mediet dhe populli francez krenoheshin lart me sloganin « Blanc, Bleu, Beurre » (Bardh, Kaltërt, Gjalp), kjo e fundit simbolizonte prezencën e diversitetit etnokluturor të kombit francez, në krye me Zinedine Zidane, De Sailly.

Në atë kohë, kryetari i Francës, karizmatiku Jacques Chirac, ngriti lart përbërjen e ekipit të përbërë nga lojtarë që reflekonin në fushën e sportit atë që secili mund ta gjejë në metropolin parizian apo në qytetet kryesore të Francës. Me vite te tëra Franca ka rikujtuar këtë sukses, i cili i mundësoi të dalë me petkun e një kombi që korr suksese me laramaninë e tij. Por euforia nuk zgjati edhe aq shumë, kur lindën plasaritje me lojtarët e kombëtares franceze dhe seleksionuesit të tij. Pas disfatës në kualifikime në Botërorin e Brazilit, u vërejt një ngritje e menjëhershme e reflekseve ksenofobe nga forca politike populiste, që akuzonin po ata lojtarë që vinin nga familje me prejardheje migruese si fajtorë për disfatën e Francës, edhe pse ishin po ata që i kishin mundësuar Francës ta fitojë Botërorin 1998, etj. Horonjtë e djeshëm u shndërruan në fajtorë të sotëm.

Po ky sindrom u shfaq, deri në një shkallë, pas diskualifikimit të Zvicrës në të tetën e finales në Botërorin rus, pas qëndrimeve groteske të sekretarit të Shoqatës zvicerane të futbollit, i cili, nën petkun e kritikës së dyshtetësisë, drejtoi mesazhe jotolerante ndaj lojtarëve të Kombëtarës zvicerane me rrënjë nga jashtë.

Është po ashtu habitës edhe qëndrimi i shoqatës në fjalë, e cila u distancua nga sekretari i përgjithshëm i saj, por edhe njëkohësisht krijoi dilema dhe huti rreth lojalitetit ndaj fanellës së kombëtares për të rinjtë që kanë nënshtetësi të dytë. Kjo lë të kuptohet se aty mbretëron një vizion krejtësisht i ngurtë, statik dhe përjashtues i identitetit kombëtar helvetas, dhe që shkon krejtësisht kundër realitetit të skuadrës zvicerane, të përbërë kryesisht nga lojtarë me prejardhje të huaj dhe që krenohen me fanellën e Zvicrës.

Qëndrimet në fjalë ishin goditje për shqiptarozviceranët, të cilët, sikurse lojtarët francezë me prejardhje të huaj u shndërruan nga figura krenarie në persona të dyshimtë. Reagimet e Granit Xhakës në opinion ishin shumë me vend, dhe mëse të nevojshme. Por ato nuk mjaftuan.

Integrimi përmes fushës së futbollit, thikë me dy teha

Si shqiptarozviceranë duhet të jemi vigjilentë dhe proaktivë. Së pari duke mos reduktuar prezencën tonë historike në fushën e futbollit, edhe pse lojtarët shqiptarozviceranë të Natit kanë, që me vite, një ndikim pozitiv marramendës në perceptimin tonë në Zvicër.

Që me vite e theksoj publikisht faktin se integrimi i shqiptarëve duhet të jetë i gjithanshëm, dhe se ai nuk duhet të kufizohet vetëm në fushën e futbollit apo yjve të këngës. Duhet pra një imersion dhe një vlerësim i shqiptarozviceraneve sikurse në futboll (edhe në disciplina tjera sportive), por edhe në politikë (majtë dhe djathtë), shkencë, gazetari, kulturë, ushtri, etj.

Kjo është forma e vetme për të evituar rrëshqitje në opinion sikurse kjo e fundit, nëse lojtarët tanë nuk shënojnë gola! Me një humbje loje, i gjithë roli i historik i shqiptarozviceraneve vihet në siklet me një qëndrim të vetëm të një individi. Së dyti, duhet ritheksuar rolin e shumicës së komunitetit shqiptarozviceran.

Është habitës fakti se për të kundërbalansuar qëndrimet ksenofobe, vihen para opinionit individë shqiptarozviceranë që dallohen në arritjet e tyre profesionale respektive. Kjo nuk ka asgjë të keqe, por nuk duhet kursesi të vetëdijësohet opinioni zviceran për një gjeneratë të tërë shqiptare që ka prosperuar falë Zvicrës, por edhe që kontribuon, që me dekada, në mirëqenien helvetike.