Portrete të firmave

Shtëpitë nga druri prodhohen në Kosovë dhe hedhin themelet në Evropë

Që nga momenti kur klienti bën porosinë për shtëpinë e re prej druri dhe deri kur i merr çelësat në dorë nuk kalojnë më shumë se 3 muaj.

Pra, vetëm 3 muaj për të nisur jetën e re në një shtëpi druri, të punuar sipas dëshirës së pronarëve, prodhuar me mjeshtëri nga materialet e cilësisë më të lartë në treg dhe me teknologjinë më të avancuar të kohës. Këto janë shtëpitë nga druri që prodhon Greenhouse në fabrikën e tyre në Radavc të Pejës, prej nga nisin udhëtimin për të hedhur themelet në shtete të ndryshme të Evropës.

Fillimisht, kompania e nisi aktivitetin në vitin 2013 me montimin e shtëpive prej druri, të blera diku tjetër. Nga viti 2015, këto shtëpi janë 100% të prodhuara në Kosovë. Më së shumti, shtëpitë nga druri eksportohen në Zvicër. Nga viti 2019 ka filluar eksporti në Gjermani dhe Francë. “Në fillim nuk ishte e lehtë” rrëfen Nazmi Mehmetaj, bashkëpronar i kompanisë Greenhouse për rrugëtimin e tyre.

“Por cilësia është reklama më e mirë. Tashmë, Greenhouse është emër i njohur”. Shtëpitë prej druri nga Greenhouse janë të madhësive të ndryshme, sipas kërkesës së klientëve, përgjithësisht mbi 100 metra katrorë të banueshëm. Shtëpitë mund të jenë me 1, 2 ose 3 kate dhe i kanë të gjitha hapësirat dhe ndarjet e nevojshme për jetesë komode dhe me stil. Blerësit më së shumti janë familje, që bëjnë porosinë direkt.

“Tani kanë filluar edhe arkitektët të na kontaktojnë, për klientët e tyre”, thotë Nazmiu. Në panairin Swissbau 2020 që po mbahet në Basel në datat 14-18 janar, Greenhouse ka një prezantim dinjitoz dhe që u lë shumë përshtypje vizitorëve të shumtë.

Në fakt, është hera e tretë që Greenhouse ekspozon shtëpitë nga druri të prodhuara në Kosovë në panairin më të madh të ndërtimtarisë në Zvicër që organizohet çdo dy vjet.

“Herën e parë, në 2016, njerëzit na njohën kush jemi. Gjetëm një klient nga Franca, me të cilën ende bashkëpunojmë. Po atë vit, hapëm sallonin në Zvicër. Në Swissbau marrim pjesë me qëllimin për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunëtorëve. Tani kemi interesim të punojmë më shumë me arkitektë, me ndërmjetësues, në mënyrë që ne të fokusohemi tek ajo që bëjmë më së miri, pra prodhimi i shtëpive, dhe bashkëpunëtorët të merren me shitjen”, tregon Nazmiu.

Arkiktektët dhe ndërtuesit e diasporës janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të kompanisë. “Janë një grup me rëndësi për ne, sepse janë kompani të mira dhe me reputacion në vendet ku punojnë” shpjegon Nazmiu.

Foto: Armend Berisha/albinfo.ch

Tani që Greenhouse e ka rritur shumë kapacitetin prodhues në Kosovë, është me rëndësi zgjerimi i tregut të shitjes së shtëpive që sjell zgjerimin edhe njëherë kaq të prodhimit. “Këtë herë, erdhi na takoi një gjerman. Ai na tha se ka 5 vite që përcjell punën tonë në rrjetet sociale. Dinte pothuajse çdo gjë për mënyrën si punojmë. Erdhi me planet dhe matjet e veta dhe tani jemi duke përpiluar ofertën për t’i ndërtuar shtëpinë dykatëshe nga druri, made in Kosova, për familjen e tij në Gjermani” tregon Nazmiu për ngjarjen më interesante nga ky panair.

Artikulli i sponzorizuar