Integrimi
Shumëgjuhësia si shans
Përse vendoset ndalimi i një gjuhe në shkolla? A është stigmatizues termi DaZ (gjermanishtja si gjuhë e dytë)? Këtyre dhe pyetjeve të tjera u përgjigjet ekspertja e didaktikës së gjuhës gjermane, Ermira Ljutvija.
Ermira Ljutvija është e njohur për shumë nga lexuesit tanë. Ajo ka shkruar portrete, reportazhe dhe përkthime të panumërta për albinfo.ch. Në vitin 2018, ish-mësuesja e shkollës fillore filloi masterin në didaktikë të gjuhës gjermane në Universitetin e Cyrihut dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Këtij angazhimi të trefishtë iu bashkua më vonë edhe puna si asistente kërkimore në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih, angazhime këto që e shtynë për fillim plotësisht në plan të dytë shkrimin si hobi.
Sot e rikthejmë Ermirën në redaksi, por me një ndryshim rolesh. Tani pra po intervistojmë Ermirën, pedagoge e didaktikës së gjermanishtes si lëndë dhe e gjermanishtes si gjuhë e dytë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zug.
albinfo.ch: E nderuar zonja Ljutvija, në shikim të parë në karrierën tuaj profesionale, zbulohet se punën në shërbim të gjuhës duhet ta keni shumë për zemër. Çfarë përvojash ju kanë inkurajuar që gjermanishtja të jetë profesioni juaj?
E. Ljutvija: Më duhet të pranoj se zgjedhja ime bazohet më pak në përvoja specifike dhe më shumë, thjesht, në magjepsjen time me gjuhën gjermane. Dhe po, ndoshta sfondi im i parë gjuhësor ka luajtur një rol të caktuar. Unë e kam përjetuar gjermanishten si sfidë që në kopshtin e fëmijëve dhe prandaj jam përpjekur gjithmonë të arrij te sekreti i këtij sistemi, kompleks për mua.
albinfo.ch: Nëse e keni parë të vështirë të mësuarit e gjermanishtes, atëherë mund të kuptoni se si dhe pse disa fëmijë kanë mjaft telashe me këtë. A ua transmetoni këtë përvojë studentëve tuaj?
E. Ljutvija: Eksperiencat e mia si nxënëse e gjermanishtes jo aq shumë, por i inkorporoj përvojat e mia si mësuese në shkollat multikulturore, në seminaret e mia. Gjithashtu jap module në lëndën didaktika e gjermanishtes si gjuhë e dytë, në të cilat tregoj se cilat pengesa gjuhësore u dalin në rrugë fëmijëve, gjuha e parë e të cilëve nuk është gjermanishtja. Është e rëndësishme që mësuesit e ardhshëm të njohin disavantazhet e mundshme, të dinë se si dhe pse ato lindin dhe të marrin njohuri specifike të specializuara në mënyrë që të përshtatin mësimin e tyre me kërkesat individuale të nxënësve të tyre.
albinfo.ch: Në nivelin e politikës arsimore, rëndësia dhe domosdoshmëria e mësimeve në kuadër të DaZ (Gjermanishtja si Gjuhë Joamtare) është e padiskutueshme. Por, megjithatë, reputacioni i të qenit “fëmijë DaZ” sjell njëfarë dëmtimi fillestar në imazhin e nxënësve të prekur, qoftë në klasë dhe më vonë ndoshta edhe në dëftesë. A mund ta kuptoni zhgënjimin e fëmijëve dhe ndoshta edhe të prindërve të tyre? Pse ndodh kjo?
E. Ljutvija: Mësimi shtesë përmirësues shpesh interpretohet negativisht, kjo vlen jo vetëm për mësimet e DaZ, por edhe për mësimet e terapisë së të folurit (logopedi), mbështetjen integruese dhe të tjera. Në rastin e mësimeve përmirësuese që kërkojnë staf të specializuar mësuesish, ky është një shërbim shumë i orientuar drejt së ardhmes dhe burimeve të ofruara nga shkollat, të cilin fatkeqësisht jo çdo komunë e dëshiron ose mund ta përballojë në të njëjtën masë. Për sa i përket stigmës, ju vetë keni dhënë shembullin e përsosur: keni thënë fëmijë “DaZ”. Pse nuk thoni fëmijët shumëgjuhësh? Si mësues klase, jeni mësues “DaZ” apo mësues shumëgjuhësh? Një gazetar i “DaZ”-it?
albinfo.ch: Unë kurrë nuk e kam parë termin “DaZ” nga ky këndvështrim. Sigurisht, do të doja një përshkrim të vetvetes dhe të tjerëve që tregon shumëgjuhësinë time si një përparësi apo kompetencë shtesë dhe jo me një tregues të nënkuptuar se gjuha ime amtare nuk është gjermanishtja.
E. Ljutvija: E shihni, një ndryshim i këndvështrimit bën shumë në perceptimin e një personi. Fillon me zgjedhjen e fjalëve. Sigurisht, kjo nuk vlen vetëm në lidhje me mësimet, por për mësuesit dhe studentët në kolegjet e trajnimit të mësuesve, përdorimi i ndjeshëm i gjuhës është i një rëndësie të veçantë. Thuhet se gjuha formëson realitetin tonë. Ajo formëson realitetin tonë shoqëror, paragjykimet tona, pritshmëritë tona dhe rrjedhimisht, edhe veprimet tona. Kur flas për shumëgjuhësinë, mendoj nga një këndvështrim pozitiv: shumëgjuhësia është një mundësi për shkollat dhe shoqërinë dhe jo një problem.
albinfo.ch: Sistemi arsimor zviceran ka një traditë të gjatë shumëgjuhëshe. Si ndodh që në oborrin e shkollës të nxënësit të marrin lëvdata dhe vlerësime nga mësuesit për të folurit rrjedhshëm të frëngjishtes ose anglishtes, ndërsa shqipja e folur po aty i bën të tundin kokën ose, siç është parë së fundmi në kryetituj gazetash: të ndalojnë gjuhën? A përfundon toleranca ndaj diversitetit gjuhësor me shqipen?
E. Ljutvija: E po, varet nga qëllimi për të cilin janë vendosur rregullat e përdorimit të gjuhës. Ndalimi i një gjuhe sepse dikush kënaqet me ndalimin e gjuhëve është i papranueshëm. Sidoqoftë, mësuesit kanë për detyrë t’u mësojnë të gjithë nxënësve të tyre gjermanishten korrekte. Kjo përfshin të folurit standard të gjuhës gjermane gjatë orës së mësimit, por edhe mësimin e konventave bisedore. A është mirë të flisni me miqtë tanë në një gjuhë nëse ka një person të tretë pranë nesh që nuk na kupton? Problemi me përdorimin e gjuhës në oborrin e shkollës është se aty mund të grumbullohen disa gjuhë të para (të huaja, jo gjermane).
Në vendin tim të mëparshëm të punës kishim një klasë me 16 fëmijë që flisnin shqip, jo, nuk isha unë mësuesja. Frekuenca e ekspozimit ndaj një gjuhe është shumë e rëndësishme për përvetësimin e saj. Në varësi të zonës grumbulluese të shkollës dhe mjedisit privat të fëmijës, kjo mund të vonohet nëse ka mungesë kontakti. Përveç kësaj, në shesh lojërash flitet dialekti (gjermanishtja zvicerane). Nuk duhet nënvlerësuar funksioni identifikues i dialekteve. Megjithatë, unë nuk jam për ndalime, por duhet të përpiqemi për një qasje vlerësuese. Krahasimi i gjuhëve me fëmijët është një mënyrë e mirë për të përfshirë të gjitha gjuhët që fliten në klasë, me ç`rast edhe mësuesi mund të mësojë shumë.
albinfo.ch: Dhe, së fundi, një pyetje personale: A ju kujtohet fjalia juaj e parë në gjermanisht?
E. Ljutvija: (qesh). “Eine Kilo bukë, bitte!!” Unë isha pesë vjeçe atëherë. Dhe, u ktheva në shtëpi pa bukë.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbrëmja AlbGala e platformës mediale albinfo.ch, një përjetim i paharrueshëm Në një atmosferë solemne, me ambient të ngrohtë e miqësor, platforma mediale Albinfo.ch ka mbajtur mbrëmë...
-
Zvicër: Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi feston ditën e flamurit dhe 15-vjetorin e themelimit të shoqatës
-
Luiza Duraku betohet si nënkryetare në Anderlecht
-
Abdixhiku takon bashkatdhetarët në Olten të Zvicrës
-
Habibe Duraki betohet si nënkryetare në komunën Evere të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Gati 300 ilaçe tani janë më të lira në Zvicër Gati 300 ilaçe kanë qenë më të lira, mesatarisht 12%, që nga 1 dhjetori. Zyra Federale...
-
Ndalimi emergjent i Edelweiss gjatë ngritjes nga Cyrihu: Të dhënat e para për shkakun
-
A po e ndërpret Elon Musk tani marrëveshjen e avionëve F-35 me Zvicrën?
-
Zvicër: Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi feston ditën e flamurit dhe 15-vjetorin e themelimit të shoqatës
-
Sistemi i ri tarifor: Mjekët u frikësohen disavantazheve për pacientët