Kosova
S’ka marrëveshje, Borell flet për pasojat
Josep Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare. Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.
“Po, ne kemi mision, EULEX-in, edhe KFOR-in po ashtu. Por, ato nuk mund të marrin sipër rolin e Policisë së Kosovës”, tha ai.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët.
Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme, shkruan Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.
“Unë u kërkoj të dyja palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell. Ai, po ashtu, tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.
“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.
Ku qëndron problemi i targave?
Me ndërmjetësimin e Borrellit, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Serbia – e cila lëshon targa për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999 – e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.
Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Kërkohet me peticion heqja e klasit të parë në transportin publik "Mjaft më me sistem dy-nivelësh në transportin publik" – kjo është kërkesa e një lëvizjeje aktiviste... -
Një lehtësim i vogël për nxënësit e shkollave ndërkufitare -
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës -
Treni i ri i natës nga Berna drejt qyteteve evropiane nis më 2026 -
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë













