Lajme
S’ka plan për zbatim të marrëveshjes, takimi vazhdon…!
Palët janë marrë vesh që takimi të vazhdojë të mërkurën, derisa kanë shfaqë qëndrime kontradiktore për planin veprues. “Pa një plan të zbatimit, marrëveshja është zero”, ka thënë Kuçi
Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë kanë shfaqur qëndrime të kundërta në takimin e radhës në Bruksel që është mbajtur të martën, në përpjekje për të nënshkruar planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Të dy palët janë marrë vesh që takimi të vazhdojë të mërkurën, derisa nuk kanë arrit as për së afërmi nënshkrimin e planit veprues.
“Pa një plan të zbatimit, marrëveshja është zero”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka udhëhequr delegacionin kosovar në takim.
“Të dy palët i kemi shprehur qëndrimet tona dhe nesër mendoj se zoti Gentilini (Fernando) do të na e paraqes neve një projekt plan të ri sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të”, ka thënë Kuçi, raporton REL.
Kuçi nuk ka dashur t’i komentojë akuzat që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës për atë që Serbia e quan “mungesë të fleksibilitetit” nga ana e Prishtinës.
“Nuk dua ta akuzoj askënd, ne jemi këtu për të arritur planin e zbatimit dhe jo për negociata tjera, por për marrëveshjen që kemi arritur. Ata duan të arrijnë diçka përtej marrëveshjes apo ndoshta një marrëveshje tjetër”, ka thënë Kuçi.
Përderisa nga ana e BE-së, nuk kanë dashur zyrtarisht të prononcohen lidhur me rrjedhën e takimit të së martës, pala serbe ka dhënë disa ide të reja, sipas të cilave duket qartë se palët nuk janë shumë afër pajtimit.
Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje të tjera, të cilat deri më tani nuk janë përfshirë në marrëveshje.
Ai, në këtë aspekt, ka përmendur pozicionin e Kishës Ortodokse serbe, çështjen e pasurisë, si dhe kushtet e integrimit të serbëve nëpër institucionet e Prishtinës.
Të dyja palët kanë konfirmuar se takimi do të vazhdojë nesër.
Ndërsa menjëherë pas takimit të të martës ka reaguar qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës pret që plani për zbatim të nënshkruhet sa më parë dhe të fillojë të zbatohet në terren me aktivitete konkrete të institucioneve vendore, EULEX-it, KFOR-it dhe me një participim aktiv të komunitetit serb, që jeton në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, delegacioni i Kosovës, siç thuhet, shpreson se Qeveria e Serbisë do të merr obligimet për zbatimin e marrëveshjes dhe do të jetë serioze në këtë proces.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës çmon rolin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe NATO-s në mbështetjen e zbatimit të marrëveshjes, që është një hap në respektimin e marrëveshjes së arritur, por edhe drejt integrimeve euroatlantike”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së, kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për t’i dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin.
E-Diaspora
-
Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur... -
“Oda e Grave Shqiptare”, një hap i ri për fuqizimin e grave shqiptare në Zvicër -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës Për albinfo.ch Luljeta Ademi Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës... -
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran











