Kosova

Skandal në Kosovë: Një individ u jep fëmijëve me autizëm barna për kafshë si ‘trajtim’, nxiten reagime

Një rast alarmues ka dalë në dritë në Kosovë, ku një individ, i njohur për pretendime konspirative që nga koha e pandemisë së Covid-19, është raportuar se ka rekomanduar barna të destinuara për kafshë te fëmijët me autizëm, duke i paraqitur ato si trajtim për çrregullimin.

Sipas raportimeve, individi pretendon se autizmi shkaktohet nga parazitët në trup dhe se largimi i tyre mund të shërojë fëmijët. Ai po ashtu lidh autizmin me vaksinimin, duke e përshkruar atë si “shkaktar kryesor”.

Analiza e barnave që ky individ ka rekomanduar tregon se ato janë të destinuara për përdorim tek kafshët: Fenbendazole, Ivermectin, DMSO, kapsula bimore dhe dheu vullkanik, të cilat nuk kanë provuar efekt shërues për fëmijët.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet dhe ka bërë thirrje që qytetarët t’u besojnë vetëm “metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”. Ministria po ashtu ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, duke theksuar se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”.

Reagimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF)

KOMF ka shprehur shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me rastin. Në një deklaratë për media, organizata tha:

“Ne ngremë alarmin dhe i bëjmë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.”

KOMF gjithashtu ka kritikuar përhapjen e pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”:

“Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.”

Organizata ka theksuar se promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt, duke krijuar pritshmëri joreale dhe shtuar stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre. KOMF përfundon:

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.”

Ky rast shërben si paralajmërim për prindërit dhe publikun që të jenë të kujdesshëm ndaj pretendimeve që ofrojnë “trajtime” pa bazë shkencore, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët dhe çrregullime komplekse si autizmi.