Muzikë

Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit

Besa Llugiqi zgjeron karrierën ndërkombëtare me debutimin në Operën e Bukureshtit

Sopranoja kosovare Besa Llugiqi do të debutojë në Operën Shtetërore të Bukureshtit, ku do të interpretojë rolin e Mimisë në operën e famshme “La Bohème” të Giacomo Puccinit. Paraqitja e saj shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të artistes, transmeton albinfo.ch.

E njohur për zërin e kultivuar dhe interpretimet e roleve të mëdha operistike, Llugiqi e konsideron këtë rol si një nga më të dashurit për të. Sipas saj, Mimi i përshtatet natyrshëm vokalit dhe interpretimit të saj, ndërsa tematika emocionale e veprës e bën rolin edhe më të veçantë.

“Është një hap shumë i rëndësishëm për mua, një mundësi për të dëshmuar punën dhe për të hapur bashkëpunime të reja artistike”, ka thënë sopranoja.

Opera “La Bohème” do të shfaqet më 26 shkurt, nën drejtimin muzikor të dirigjentit Daniel Jinga dhe me regji të Ionel Pantea. Llugiqi do të interpretojë përkrah tenor it rumun Andrei Petre, ndërsa në role të tjera do të paraqiten artistë të njohur të operës rumune.

Roli i Mimisë është një nga figurat më ikonike të repertorit operistik botëror, që kërkon kombinim të ndjeshmërisë emocionale dhe teknikës vokale. Llugiqi e ka interpretuar këtë rol në skena të ndryshme ndërkombëtare që nga debutimi i saj pas fitimit të çmimit “Grand Prix” në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari.

Artistja kosovare njihet edhe për interpretimin e roleve të rëndësishme si Violetta në “La Traviata”, Donna Elvira në “Don Giovanni” dhe Lucia në “Lucia di Lammermoor”.

Debutimi në Operën Shtetërore të Bukureshtit konsiderohet jo vetëm sukses personal për Llugiqin, por edhe një promovim i artit operistik kosovar në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch