Kosova
Sorensen javën tjetër në Kosovë
Mësohet se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, pritet të qëndrojë në Kosovë javën që vjen, nga 17 deri më 19 mars, në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post, duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak, përcjell albinfo.ch.
Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të të cilit për muaj të tërë nuk ka pasur lëvizje. Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është zbatimi i deklaratës për të pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord, por takimi i fundit në Bruksel, në nivel të ekspertëve, kishte dështuar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e re e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë muajit mars do të shikojnë se si të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritanishëm të këtij procesi.
Në BE vazhdojnë të thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat që si Kosova, ashtu edhe Serbia, t’i përmbushin obligimet e tyre që kanë dalë nga procesi i deritanishëm i dialogut, e kjo përfshin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Diplomatët në BE janë kureshtarë për të parë se si do t’i qasen këtij procesi përfaqësuesja e lartë, Kaja Kallas, dhe i dërguari i posaçëm, Peter Sorensen. Por të njëjtët thonë se në këtë moment, përderisa është e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e Kosovës, ndërsa situata edhe në Serbi është “sfiduese”, me protestat e studentëve dhe me një qeveri formalisht në dorëheqje, nuk është reale të pritet ndonjë progres në procesin e dialogut.
Kosova dhe Serbia, së paku kështu vazhdon të thotë BE-ja, kishin arritur në muajin shkurt të vitit 2023 në Bruksel “Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve” dhe më vonë, në një takim në Ohër, edhe aneksin për implementimin e saj. Por dy vjet më vonë, nuk ka asnjë lëvizje në zbatimin e saj. Serbia, për më tepër, ka dërguar një letër në BE, ku shprehet qartë se nuk do t’i zbatojë pjesët kryesore të asaj Marrëveshjeje. Këtë letër e kishte dërguar ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Më vonë, ish-i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, kishte thënë se “ajo letër është tërhequr”, por tërheqja e saj asnjëherë nuk ishte konfirmuar. Serbia ka vazhduar të mos e zbatojë atë, përfshirë edhe me veprimet në Këshillin e Evropës, ku ka kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, qoftë edhe pjesëmarrjen në punimet e Komitetit në cilësinë e mysafirit.
Nga ana tjetër, BE-ja vazhdon ta kritikojë Kosovën për ato që i quan “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri dhe për mungesën e gatishmërisë për nisjen e procedurës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sorensen, sipas burimeve diplomatike, kësaj radhe nuk do ta vizitojë Serbinë, por këtë do ta bëjë në një rast tjetër. Kjo arsyetohet me “çështjet e agjendës”.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide Një studim i ri ndërkombëtar sugjeron që i gjithë ekosistemit të tokës duhet t'i kushtohet më... -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana -
Niveli i rrezikut 3: Alarm për stuhi në disa kantone zvicerane -
Ligjet e reja zvicerane që hyjnë në fuqi nga sot -
Numri i të vdekurve nga zjarri në Crans-Montana shkon në 41











