Kosova

Sot shënohet 27-vjetori i Betejës së Koshares

Një nga betejat më të rëndësishme të UÇK-së që theu kufirin Kosovë–Shqipëri dhe forcoi rrugët e furnizimit gjatë luftës

Sot shënohet 27-vjetori i Betejës së Koshares, e konsideruar si një nga betejat më të rëndësishme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së Kosovës, përcjell albinfo.ch. 

9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, Brigada 138 e UÇK-së, e udhëhequr nga komandanti Agim Ramadani, u përball me ushtrinë serbe në një ofensivë të fuqishme me qëllim thyerjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Përveç marrjes së kontrollit të zonës kufitare, kjo betejë kishte rëndësi të veçantë strategjike, pasi mundësoi krijimin e një korridori të qëndrueshëm për furnizim dhe mbështetje logjistike, duke forcuar kapacitetet e UÇK-së në frontet e luftës.

Beteja e Koshares u zhvillua me intensitet të lartë dhe me humbje të mëdha, por u shënua si një fitore e rëndësishme për UÇK-në, duke dëshmuar vendosmërinë dhe guximin e luftëtarëve për liri.

Pas kësaj beteje, Kosharja u shndërrua në simbol të rezistencës dhe u bë motiv i fuqishëm për rritjen e numrit të vullnetarëve që iu bashkuan radhëve të UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës./Albinfo.ch