Karriera në Ballkan

Studentët e mërgatës të interesuar për UP-në

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se interesi nga ana e pjesëtarëve të mërgatës që të studiojnë në Universitetin e Prishtinës është i madh

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Anton Berishaj ka thënë se dyert e universitetit “Hasan Prishtina” janë të hapura për të gjithë të rinjtë kosovarë që të jetojnë në diasporë. Këto komente Berisha i bëri pas një takimi që zhvilloi me ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.

Ai tha se me ardhjen e studentëve nga diaspora do të rritet edhe bashkëpunimi me ta.

Ministri Makolli tha se interesi nga ana e pjesëtarëve të mërgatës që të studiojnë në Universitetin e Prishtinës është i madh.

Sipas tij, Ministria e Diasporës ka një bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, dhe siç pohoi ai, kanë biseduar për të zbatuar strategjinë për mërgatën që është një dokument, i cili i ndërlidh të gjitha institucionet shtetërore në këtë rast edhe Universitetin.

“Tashmë është koha kur do të ketë regjistrim të studentëve në vitin e ri akademik, do të kemi dhe kemi interes edhe nga ana e pjesëtarëve të mërgatës që të studiojnë në Universitetin e Prishtinës dhe natyrisht në këtë kuadër e kemi biseduar edhe këtë çështje”, citon RTK, ministrin Makolli.

Po ashtu në këtë takim, siç tha Makolli, është biseduar për krijimin e lidhjeve dhe bashkëpunimin me universitete të tjera në botë, në mënyrë që studentë e mërgatës që studiojnë në universitete të ndryshme, të vijnë në Kosovë për disa semestra, e pastaj të kthehen në vendin e tyre.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Anton Berishaj e falënderoi ministrin për këtë bashkëpunim, për siç e quajti ai, gjestin e mirë të Makollit, dhe tha se është edhe një veprim i mirë i të dyja palëve, që këtë ide ta jetësojnë sa më parë.