Lajme

Sulm i armatosur pranë konsullatës izraelite në Stamboll, një i vrarë dhe katër të plagosur

Ngjarja ndodhi në lagjen Besiktas, ku persona të armatosur hapën zjarr, ndërsa policia ndërhyri menjëherë duke neutralizuar njërin prej sulmuesve.

Keystone SDA

Një sulm i armatosur ka ndodhur sot në mesditë pranë konsullatës izraelite në Stamboll, duke shkaktuar alarm në lagjen Besiktas dhe duke lënë pas viktima e të plagosur, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare, tre persona të armatosur kanë hapur zjarr jashtë konsullatës. Gjatë përplasjes me forcat e rendit, njëri prej sulmuesve është vrarë, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.

Mediat turke raportojnë se gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur edhe dy oficerë policie, duke e çuar numrin total të të plagosurve në katër.

Sipas gazetës Hurriyet, policia reagoi menjëherë pas sulmit dhe situata u vu nën kontroll, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar motivet dhe identitetin e personave të përfshirë.

Ndërkohë, në rrjetin social X janë publikuar video që dyshohet se shfaqin momentin e shkëmbimit të të shtënave me armë pranë konsullatës.

Hetimet për rastin janë në vazhdim./Albinfo.ch 

 

Keystone SDA
Keystone SDA