Lajme
Swiss ashpërson rregullat: Certifikatë mjeku nga dita e 3-të e sëmundjes
Kompania ajrore zvicerane Swiss po ndryshon rregullat për raportet mjekësore të punonjësve të saj. Duke filluar nga 1 qershori, stafi i kabinës do të jetë i detyruar të paraqesë certifikatë mjeku që nga dita e tretë e sëmundjes. Deri tani, ky detyrim hynte në fuqi vetëm nga dita e pestë.
Sipas kompanisë, vendimi është marrë për shkak të rritjes së ndjeshme të mungesave afatshkurtra për shkak të sëmundjes, të cilat janë rritur me rreth 25 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2025. Swiss thotë se kjo situatë po e vështirëson gjithnjë e më shumë planifikimin e fluturimeve dhe stafit.
Megjithatë, masa e re ka shkaktuar reagime të forta nga stafi i kabinës. Disa punonjës të Swiss-it e konsiderojnë ndryshimin të tepruar dhe madje të rrezikshëm për sigurinë e fluturimeve.
Një stjuardesë, e cila ka preferuar të mbetet anonime, thotë se puna në bord nuk mund të krahasohet me një punë zyre, pasi ekuipazhi nuk ka mundësi të punojë nga shtëpia. Sipas saj, edhe simptoma të lehta mund të bëhen problem gjatë fluturimit, për shembull probleme me presionin apo zërin. “Në raste emergjente duhet të jemi plotësisht në gjendje të mirë shëndetësore,” thotë ajo, duke e cilësuar masën si “të rrezikshme”, transmeton albinfo.ch.
Edhe sindikata e personelit ajror Kapers e ka kritikuar vendimin. Ajo e quan ndryshimin të papërshtatshëm dhe të padrejtë, duke paralajmëruar se masa mund të krijojë presion mbi punonjësit që të shkojnë në punë edhe kur janë të sëmurë. Sipas sindikatës, një vizitë te mjeku mund të kushtojë shtrenjtë, gjë që e rëndon veçanërisht personelin me paga më të ulëta.
Swiss, nga ana tjetër, thekson se masa nuk është e drejtuar kundër punonjësve dhe se shëndeti dhe siguria e tyre mbeten prioritet. Kompania shton se rregulli i ri do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të stafit rezervë dhe në garantimin e operacioneve të rregullta të fluturimeve.
Në disa kompani të tjera ajrore në Zvicër, rregullat janë tashmë edhe më të ashpra, me detyrimin për certifikatë mjeku që nga dita e dytë ose e tretë e mungesës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët... -
Suedi: Vritet një i ri nga Kosova, raportohet se ishte kalimtar rasti -
Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë -
Thirrje për të rinjtë e diasporës shqiptare dhe Ballkanit: Bashkohuni në Bootcamp-in “Building DiverCity” në Itali! -
Denoncon avokati Koci: Dyshime se një familjeje kosovare iu morën 2000 euro në kufirin Serbi–Kroaci
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe Austria planifikojnë blerje të përbashkëta të armatimit Zvicra dhe Austria kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke planifikuar blerje të... -
Të ardhurat shtesë pa taksa? – Debat në Zvicër për bakshishet -
Nënkontraktorët e DHL-së në Zvicër paralajmërojnë rrezik falimentimi -
Model i ri banimi në Zvicër: Sa më shumë banorë në një apartament, aq më e ulët qiraja -
Një valë e re nxehtësie godet Zvicrën, alarm për valë të nxehti në disa rajone frëngjishtfolëse














