Lajme

Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde

Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur më 7 prill 2016, po konsiderohet si një ndër talentët më premtues në taekwondon zviceran, duke treguar rezultate të jashtëzakonshme për moshën e tij.

Në Open-in ndërkombëtar të Strasburgut, të mbajtur fundjavën e kaluar, ai dëshmoi sërish nivel të lartë. Ajani fitoi dy ndeshje radhazi me rezultat të pastër 2:0, duke dominuar me teknikë dhe taktikë ndaj kundërshtarëve.

Momenti më i rëndësishëm ishte finalja kundër kampionit të Francës, ku Krasniqi u tregua i sigurt dhe i qetë, duke e kontrolluar plotësisht përballjen dhe duke dalë fitues.

Me këtë triumf, ai ka arritur në 54 medalje në karrierë. Deri më tani është shpallur tri herë kampion i Zvicrës dhe është vlerësuar si luftëtari më i mirë, ndërsa në arenën ndërkombëtare ka fituar dy tituj kampioni evropian.

Me përkushtim dhe pasion të madh për sportin, Ajan Krasniqi po dëshmon se ka një të ardhme shumë të ndritur, dhe pritet që emri i tij të dëgjohet gjithnjë e më shumë në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.