Jeta në Zvicër

Task forcë kundër “turizmit” xhihadist në zonat me konflikt

Qëllimi i trupës është pengimi i eksportimit të terrorizmit nga Zvicra në zonat e konfliktit

Grupi qendror për siguri i federatës (KGSi) ka ngritur një trupë (task forcë) për parandalimin e udhëtimeve me motiv xhihadist në regjionet e konflikteve, të personave nga Zvicra. Trupa në fjalë drejtohet nga Zyra Federale për Polici (Fedpol) dhe përbëhet nga përfaqësues të federatës dhe kantoneve.

Fenomeni i udhëtimeve të motivuara nga xhihadizmi, me synim kryerjen e veprimeve ilegale dhe akteve terroriste në zonat konfliktuoze nga fillimi i vitit 2014 ka marre përmasa të mëdha. Nga kjo dukuri është prekur dhe Zvicra, ndonëse më pak se vendet tjera.

Për këtë arsye trupa e përmendur më lartë, është formuar në muajin qershor që të parandalojë udhëtimet në fjalë.Në themelimin e saj kanë marrë pjesë Shërnimi Informativ Fderal (NDB), Prokuroria Federale (BA), Drejtoria Politike e Departamentit të Punëve të Jashtme (EDA), Trupat e rojes së kufijve (GWK), Zyra Federale për Migracion (BFM) dhe nga shtatori e këndej edhe Konferenca e Komandantëve të policive të Kantoneve (KKPKS).

Në tetor 2014 është vendosur që ky grup pune të shndërrohet në “Task Forcë”, në të cilën tashmë është përfaqësuar edhe Zyra Federale për Drejtësi (BJ) dhe Policia e Aeroportit të Cyrihut .

Luftimi i koordinuar i fenomenit të xhihadizmit është në harmoni me synimet e shteteve partnere evropiane dhe të OKB-së, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës Federale për siguri. Qëllimi i trupës është pengimi i eksportimit të terrorizmit nga Zvicra në zonat e konfliktit.