Integrimi
Të rrëfehesh në gjuhën e shpirtit, pse terapia në gjuhën amtare shëron më thellë
Dr. Valbone Miftari, specialiste e psikiatrisë dhe psikoterapisë FMH flet mbi traumën e migrimit, gjuhën dhe procesin e trajtimit psikologjik në mërgatë
Migrimi shpesh konceptualizohet si një proces integrimi ekonomik dhe social. Megjithatë, në planin psikologjik ai përfaqëson një përvojë thellësisht komplekse, e cila ndikon drejtpërdrejt në identitetin personal, ndjenjën e përkatësisë dhe mirëqenien mendore.
Në praktikën e saj klinike në Cyrih të Zvicrës, Dr. Valbone Miftari vëren se për një pjesë të konsiderueshme të individëve, migrimi shoqërohet me trauma të pashprehura. Këto përvoja të pa trajtuara emocionalisht manifestohen shpesh përmes simptomave psikosomatike, çrregullimeve të ankthit dhe episodeve depresive, duke reflektuar barrën psikike që mbart procesi i zhvendosjes dhe adaptimit në një realitet të ri.
“Trauma e migrimit nuk përfundon me ndryshimin e vendit të jetesës. Ajo bartet me individin në kujtesë, në trup dhe në mënyrën se si përjetohet realiteti i përditshëm,” thekson Dr. Miftari.
Një nga dukuritë më të shpeshta në praktikën klinike është somatizimi i vuajtjes emocionale, pra shndërrimi i përjetimeve psikike në shenja trupore. Në kushtet e migrimit, përvojat e stresit kronik, humbjes së mbështetjes sociale dhe presionit për funksionim të vazhdueshëm nuk arrijnë të strukturohen në nivel simbolik dhe shfaqen përmes dhimbjeve fizike.
Shprehja e vuajtjes shpirtërore, me trup
“Shumë bashkatdhetarë nuk e shprehin vuajtjen me fjalë, por me trup. Dhimbjet fizike janë shpesh forma përmes së cilës psikika kërkon të dëgjohet,” shprehet ajo.
Spektri klinik i ankesave përfshin çrregullime psikosomatike, dhimbje trupi pa bazë organike të përcaktueshme, tension të vazhdueshëm muskulor, çrregullime të gjumit dhe lodhje kronike. Krahas tyre paraqiten forma të depresionit të maskuar pas funksionimit normal dhe përkushtimit ndaj punës, si dhe çrregullime ankthi të shoqëruara me gjendje të vazhdueshme shqetësimi të brendshëm. Në praktikën klinike hasen gjithashtu raste të lidhura me diskriminim dhe bullizim në vendin e punës, rraskapitje psikofizike “Burnout”, konflikte mes gjeneratave abuzim emocional afatgjatë, divorce, probleme të varësisë, si dhe çrregullime më të rënda psikiatrike, përfshirë çrregullime deluzive dhe psikoza. Kjo e bën traumën e migrimit një përvojë shumëdimensionale.
Vendimi për t’iu drejtuar terapisë nuk lidhet domosdoshmërisht me krizën akute. Në shumë raste ai paraqet shprehje të vetëdijes dhe të përgjegjësisë ndaj shëndetit mendor. Megjithatë, procesi terapeutik kërkon gatishmëri për reflektim dhe përballje me vetveten, çka ende përbën pengesë kulturore për një pjesë të komunitetit.
Gjuha ka vend të veçantë në psikoterapi
Në procesin terapeutik, gjuha ka rëndësi të veçantë. Dr. Miftari thekson se përdorimi i gjuhës amtare krijon kushte të favorshme për shprehjen e përvojës emocionale. “Shumë pacientë arrijnë të shpjegojnë simptomat në një gjuhë tjetër, por vetëm në gjuhën amtare arrijnë të prekin thelbin e dhimbjes. Aty dalin fjalë që nuk kanë përkthim, emocione që nuk gjejnë ekuivalent dhe histori që kanë nevojë të tregohen pikërisht ashtu si janë jetuar” vazhdon ajo më tutje. “Në gjuhën amtare pacienti arrin të strukturojë përvojën emocionale dhe të përpunojë kujtesën personale. Kjo krijon kushte më të qëndrueshme për procesin terapeutik,” vëren ajo.
Trauma e migrimit dhe gratë
Një kapitull i veçantë i traumës së migrimit lidhet me përvojën e grave shqiptare në mërgatë. Terapia për to përfaqëson shpesh hapësirën e parë ku mund të artikulojnë përjetimet personale dhe barrën emocionale pa presionin e roleve tradicionale familjare dhe shoqërore. “Për shumë gra, terapia është hera e parë që flasin për veten jashtë roleve të imponuara. Ky është një hap drejt ndërtimit të një identiteti më të vetëdijshëm dhe më autonom,” thekson Dr. Miftari.
Procesi terapeutik ndihmon në vendosjen e kufijve psikologjikë dhe në ndërtimin e marrëdhënieve më të balancuara me veten dhe me të tjerët. Ky zhvillim ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin emocional të familjes dhe në funksionimin më të shëndetshëm të marrëdhënieve shoqërore.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i traumës së migrimit shfaqet te burrat shqiptarë në mërgatë. Modelet tradicionale të maskulinitetit, të bazuara në përmbajtje emocionale dhe përgjegjësi për familjen, krijojnë pengesa për kërkimin e ndihmës profesionale.
Mërgimi dhe kriza e identitetit
“Tek burrat, depresioni shpesh shfaqet përmes irritimit dhe izolimit. Kërkimi i ndihmës ndodh zakonisht kur simptomat janë bërë të pamohueshme,” shprehet ajo.
Migrimi shoqërohet me humbje të statusit social dhe me rënie të vetëvlerësimit. Nga figurë autoriteti në kontekstin e origjinës, individi shndërrohet në punëtor anonim në shoqërinë pritëse. Kjo krizë të identitetit vështirë se artikulohet me fjalë.
Një nga temat qendrore të përvojës së migracionit është jetesa mes dy realiteteve. Individët jetojnë fizikisht në shoqërinë pritëse, por emocionalisht mbeten të lidhur me vendin e origjinës. Kjo gjendje prodhon ndjenjë të mungesës së përkatësisë dhe tension të vazhdueshëm psikologjik.
“Të jetosh mes dy realiteteve do të thotë të mos kesh ndjenjën e përkatësisë në asnjërën anë. Kjo krijon një lodhje identitare që shoqëron individin për vite me radhë,” thekson Dr. Miftari.
Në diskursin publik, migrimi shpesh interpretohet si histori suksesi dhe stabiliteti ekonomik. Por pas këtij imazhi të rregullt fshihet një rrugë e gjatë sakrificash dhe përvojash traumatike, të cilat gradualisht marrin formën e pagjumësisë, ankthit dhe depresionit. “Trauma nuk përfundon me kalimin e kufijve; ajo vazhdon të jetojë përmes ndjenjës së mos-përkatësisë dhe përjashtimit social, duke prekur jo vetëm gjeneratën e parë, por edhe brezat që pasojnë,” nënvizon Dr. Miftari.
Kujdesi për veten sot është dhuratë për brezat që vijnë nesër
Ajo shpjegon se trauma mes gjeneratash është një realitet i dokumentuar shkencërisht: dhe se ajo transmetohet përmes marrëdhënies prind- fëmijë, modeleve emocionale dhe mekanizmave biologjikë të stresit, përfshirë ndryshimet neuroendokrine dhe epigjenetike që rrisin ndjeshmërinë ndaj ankthit dhe depresionit. Kështu, shumë të rinj mbartin një dhimbje pa emër, gjegjësisht një trashëgimi të historive të papërpunuara të familjes. Terapia ndihmon në identifikimin e mekanizmave të transmetimit ndër gjeneratash të traumës dhe në ndërprerjen e këtij cikli, duke pasur vlerë parandaluese për stabilitetin emocional të familjes.
Sipas Dr. Miftari, konflikti mes gjeneratave lind nga përplasja mes kulturës së sakrificës së prindërve dhe nevojës së fëmijëve për autonomi personale. “Prindërit shpesh veprojnë nga një sistem mbijetese i formuar nga trauma, frika dhe kontrolli, ndërsa fëmijët kërkojnë identitet dhe vetë përcaktim në një realitet tjetër social. Mes” mos harro nga vjen” dhe “dua të jem vetja” krijohet një tension i brendshëm që shfaqet si ankth, krizë identiteti apo distancë emocionale, ndërsa terapia u mëson prindërve se t’i lejosh fëmijët të ecin rrugën e tyre nuk do të thotë t’i humbasësh, por t’u besosh dhe se dashuria nuk matet me kontroll, por me mbështetje.”
Në përmbyllje, Dr. Miftari rikujton se shëndeti mendor është themeli i mirëqenies njerëzore dhe shoqërore dhe nuk përbën një çështje individuale . “Kur shërohet individi, shërohet familja dhe kur forcohet familja, forcohet komuniteti,” thekson ajo. Edhe pse kombi ynë ka një reziliencë të jashtëzakonshme, rezilienca e vërtetë, sipas saj, nuk qëndron vetëm në durim dhe mbijetesë, por në guximin për të kërkuar ndihmë profesionale. Kujdesi për veten sot është dhuratë për brezat që vijnë nesër”.
Profili i Dr. Med. Valbone Miftarit
Dr. med. Valbone Miftari është mjeke specialiste FMH për Psikiatri dhe Psikoterapi dhe ushtron veprimtarinë e saj profesionale në Cyrih, ku drejton ordinancën VM Praxis | Psychiatrie und Psychotherapie. Ajo ka përvojë të gjerë klinike në trajtimin e një spektri të gjerë çrregullimesh të shëndetit mendor, ndërsa puna e saj me pacientë nga mërgata shqiptare ndërthur qasjen bashkëkohore shkencore me ndjeshmëri të theksuar kulturore. Krahas praktikës klinike, Dr. Miftari është nënkryetare e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe kontribuon aktivisht në promovimin e shëndetit mendor përmes shkrimeve dhe përkthimeve të librave, si dhe në forcimin e bashkëpunimit profesional brenda komunitetit.
email: [email protected]
Web: www.vmpraxis-zürich.ch
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriDr. med. Valbone Miftari
- Prejardhja:Kosova
- Vendi ku vepron:Cyrih
- Profesioni:mjeke specialiste FMH për Psikiatri dhe Psikoterapi
- Kontakti [email protected]
E-Diaspora
-
Bern
Shkolla Shqipe në Ostermundigen shënon me aktivitete festive Ditën e Pavarësisë së Kosovës Në ambientet e Shkolla Shqipe Ostermundigen Bern, sot u shënua me emocione dhe krenari Pavarësia e... -
Hamburg
Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë në Hamburg -
Gjermani
Fatlume Bunjaku, zëri i ri i kinematografisë kosovare në skenën evropiane -
Austri
Festa Kombëtare e Kosovës u festua në Linz, në Shtëpinë e Kulturës “Neue Heimat” -
Florida
Rihapet Shkolla Shqipe në Naples, nis mësimi më 20 shkurt
Jeta në Zvicër
-
Zvicra shqyrton zbritjet për ilaçet më të shitura për të ulur kostot shëndetësore Parlamenti zviceran po shqyrton kufizimin e rritjes së vazhdueshme të kostove të kujdesit shëndetësor duke dhënë... -
Shtetësi pas vdekjes: Kantoni Thurgau i jep nënshtetësi një personi të ndjerë -
Shërbimi i dërgesave Smood do të mbyllet, mbi 400 vende pune humbasin në Zvicër -
Bern
Shkolla Shqipe në Ostermundigen shënon me aktivitete festive Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Zvicra do të presë samitin botëror të vitit 2027 mbi inteligjencën artificiale

















