Lajme
Thellohet kriza, Policia bastisë zyrat e Vetëvendosjes
Bastisjen e zyrave të LVV e konfirmon Policia e Kosovës. Ndërkohë depotët, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu janë ftuar nga Policia për intervistim
Një ditë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ndezën fitilin e bombolës me gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit, Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve të Vetëvendosjes në Parlament. Ndërsa thuhet se janë ftuar në Polici për intervistim, deputeti Albin Kurti dhe deputetja Albulena Haxhiu.
Ishin këta dy deputetë që ndezën gazin lotsjellës në Kuvend. Haxhiu ia solli bombën Kurtit, ndërsa ky i fundit ia ndezi fitilin dhe më pas seanca u ndërpre, që ishte dhe qëllimi i tri partive opozitare.
Bastisjen e zyrave të Vetëvendosjes e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani. Ai thotë se bastisja është bërë me urdhër të prokurorit kompetent.
“Konfirmojmë se sot në orët e mbrëmjes me urdhër të prokurorit policia ka realizuar një kontroll në zyrat e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që gjenden në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kelani për KP.
Mirëpo pas ndërhyrjes së Policisë, situata është tensionuar edhe më shumë në Kosovë. I menjëhershëm ka qenë reagimi Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas zyrtarëve të saj, pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, në zyrat e Kuvendit të Kosovës ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar.
“Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, Lëvizjes Vetëvendosje. Policia e Kosovës përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend”, thuhet në njoftimin e LVV.
Vetëvendosje me këtë rast i bëri thirrje institucioneve të vendit, që mos t’i bëjnë presion edhe më shumë Kurtit dhe Haxhiut, sepse situata edhe më shumë do të tensionohet.
“Ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla si dhe kërcënimet për arrestimin e deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit”, thuhet në reagim.
Edhe tri partitë opozitare nëpërmjet një letre të përbashkët kanë thënë se vezët, uji dhe gazi lotsjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit.
“Lëvizja Vetëvendosje, AAK, si dhe NISMA konsiderojnë se ato janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotsjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet ndër tjerash në letrën e Opozitës drejtuar qytetarëve të Kosovës.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e pesë shteteve më me ndikim të akredituara në Kosovë, të njohura si shtetet e Quint-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca) kanë kundërshtuar dhunën që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Ata bëjnë thirrje që të respektohen organet e vendit të zgjedhura në mënyrë demokratike.
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit Konsullata e Kosovës në Cyrih njofton datën e votimit në diasporë... -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit
Jeta në Zvicër
-
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? Giacometti-Halle, shembull i artit mural monumental në stacionin policor të Cyrihut... -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel










