Karriera në Ballkan

Tirana, kryeqyteti i panjohur evropian

Një udhëtim në një botë tjetër – udhëtim intensiv, pjesërisht kaotik dhe ekzotik. "Virus" tregon një kryeqytet evropian i cili brenda pak vitesh është katapultuar në epokën tonë.

Emisioni i televizionit zviceran “Virus” në terminin e tij më të ri ka “zbuluar” Shqipërinë. Si jeton rinia atje, çfarë muzike dëgjon, cilat janë ëndrrat e saj dhe shumëçka tjetër ka provuar të mësojë moderatori Andi Rohrer gjatë qëndrimit të tij prej 36 orësh në Shqipëri, kryesisht në Tiranë.

Si pikë e parë e ekskursionit të tij është Top Radio Albania, ku Rohrer merr elementet e muzikës që do ta shoqërojnë emisionin e tij. Pastaj ai zhytet në jetën e natës të të rinjve të Tiranës, i shoqëruar nga arkitektja Lireza, e cila e njeh më së miri këtë jetë. Në “Blloku”, lagjen e vilave të elitës së dikurshme komuniste janë koncentruar baret dhe klubet më në modë të Tiranës. Ato bëjnë kontrast me varfërinë që është fare e dukshme rrugëve të qytetit.

Studentja e juridikut Kristi drejton me sukses të madh blogun e modës “Tirana Street Style” dhe fotografon njerëzit me veshjet më interesante që i gjen rrugëve të kryeqytetit. Të vishesh mirë nuk është fare e thjeshtë për shqiptaret dhe shqiptarët. Asnjë nga shtëpitë e mëdha ndërkombëtare të modës nuk është e pranishme në Shqipëri.

Të rinjtë ëndërrojnë për ndryshim. Ata duan që përfundimisht të ndahen nga epoka komuniste e cila ka përfunduar para rreth 20 viteve. Shoqëruesi më i ri i Andit, Eltoni, fjala vjen, ëndërron se si mund të rifunksionalizohen qindra mijë bunkerët në vend. Ai dëshiron që prej tyre të bëjë shitore me atraksione turistike ose bujtina. Andi Rohrer, me ndihmën e Eltonit vihet në kërkim të shumë bunkerëve të vegjël nga koha e diktatorit Enver Hoxha.

Andi është kureshtar edhe për kuzhinën shqiptare dhe nuk ngurron të bëjë eksperimente: me specialitetin tru të pjekura të dhisë ai provon rakinë shqiptare, në sasi të madhe.

36 orë në Tiranë, një udhëtim në një botë tjetër – udhëtim intensiv, pjesërisht kaotik dhe ekzotik. “Virus” tregon një kryeqytet evropian i cili brenda pak vitesh është katapultuar në epokën tonë.