Shqipëria

Tre fëmijë në mesin e 28 viktimave

Ndër të tjera, ministrja tha se banesat mund të ndërtohen, por ka diçka që nuk kthehet dot, që janë jetët e humbura

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, është përlotur, teksa ka bërë bilancin më të fundit të pasojave të tërmetit shkatërrimtar.

Ndër të tjera, ministrja tha se banesat mund të ndërtohen, por ka diçka që nuk kthehet dot, që janë jetët e humbura.

Ministrja tha se janë konfirmuar zyrtarisht 28 viktima, ndërsa zbuloi edhe emrat e tyre, ku rezultojnë tre fëmijë, një 4-vjeçare dhe dy 8-vjeçare, si dhe disa të rinj, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Deklarata e plotë e ministres:

Të dashur qytetarë,

Ky është komunikimi më i vështirë që mund t’i takojë një zyrtari të shtetit shqiptar, e që do doja mos të ndodhte kurrë. Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë toka lëkundet, ashtu sic ndodhi disa minuta me parë, ka shkaktuar dëme masive që do të duhet kohë për t’i rekuperuar. Por do t’i rekuperojmë. Shtëpitë do të rindërtohen, bizneset do të ringrihen, jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët dhe do të keni të gjithë mbështetjen tonë, gjithë mbështetjen e shtetit shqiptar, partnereve nderkombetare, qytetareve shqiptare, për të kaluar këtë situatë të vështirë e për të rifilluar nga e para.

Por ka diçka që nuk mund ta kthejmë më mbrapsht. Askush nga ne nuk mundet. Janë 28 jetë të humbura, qe lene pas një boshllëk që askush nuk e mbush dot. E di që fjalët janë të tepërta e asgjë s’mund t’i ngushëllojë familjet e tyre për humbjen. Por në një shenjë respekti per jetët e humbura, dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët emrat e të 28 fëmijëve, vajzave, djemve burrave e grave që nuk arritën ti mbijetonin kësaj tragjedie, për t’i kujtuar së bashku në këto orë dhimbjeje e ngushëllimi për të gjithë.

Në Durrës kahë humbur jetën:

1- Amelia Lala, 8 vjeç

2- Esiela Karanxha, 8 vjeç

3- Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç

4- Sadik Qato, 85 vjeç

5- Isah Abazi, 29 vjeç

6- Flatar Zenelaj, 64 vjeç

7- Eviola Broshka, 28 vjeç

8- Kristi Reçi, 24 vjeç

9- Sehadete Lala, 79 vjeç

10- Djena Karanxha

11- Eduart Reçi

12- Shemsedin Abazi

Në Krujë:

  1. Ariela Lala 4 vjeç
  2. Bukurije Leka
  3. Erisa Cara
  4. Fatmira Cuka 44 vjeç
  5. Selvie Lala 77 vjeç
  6. Saimir Greku
  7. Kristjan Preçi 26 vjeç
  8. Sardi Cuka 18 vjeç
  9. Hajrie Vata 65 vjeç
  10. Klevis Çupi (Aliu) 34 vjeç
  11. Drita Cakoni 58 Vjeç
  12. Pëllumb Greku 57 Vjeç
  13. Çelike Grupieku 57 Vjeç
  14. Hajredin Çupi, 66 Vjeç
  15. Kastriot Cakoni

Ndërsa në Lezhë:

Marjan Preçi 25 vjec – u dëmtua nga tërmeti dhe automjeti që po e dërgonte në spital ka dalë nga rruga. Për pasojë Marjan Preci ka humbur jetën.

Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit. Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, eshte pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit.

Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, sic jam e bindur edhe te gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen te ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive te tyre. Dhe jam vërtet mirënjohëse dhe pa fjalë në fakt, nga ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë, që kanë vërshuar të ndihmojnë, duke asistuar në operacionet e kërkim shpëtimit, duke dhuruar ushqime e veshmbathje, duke hapur dyert e shtëpive apo hoteleve për të strehuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi.

Dua t’i falenderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që ende sot po vazhdojnë të punojnë vullnetarisht, të palodhur e shpesh duke rrezikuar shumë. Ashtu siç dua të falenderoj edhe të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, e mbi të gjitha vëllezërit e motrat tona kosovare që na janë gjendur ashtu siç dinë shqiptarët t’i gjenden njëri tjetrit në orët e tyre të vështira. Jam pa fjalë. Faleminderit nga zemra.