Shkurt.ch

Tre për qind e popullatës jeton me ndihma sociale

Ndërkohë që në mesin e të huajve kjo shifër mbërrin në 6.1%, vetëm 2% e shtetasve zviceranë janë raste sociale

230 mijë persona ose saktësisht 3 për qind e popullatës zvicerane, kanë marrë ndihma sociale në fund të vitit 2009. Këtë shifër e ka publikuar sot Enti Federal i Statistikave.

Sipas publikuesit, rritja e vogël (plus 8500) e këtij numri krahasuar me një vit më parë është inkurajuese, kur dihet se në vitin 2009 ekonomia ishte në krizë, si pasojë e krizës globale financiare.

Siç njofton 20 Minuten online, ashtu si dhe më parë, në listat e ndihmave sociale njerëzit me prejardhje të huaj janë shumë më të përfaqësuar se sa shtetasit zviceranë. 6.1 për qind e të huajve kanë marrë në vitin 2009 ndihma sociale, që është për 0.1% më shumë se në vitin 2008. Ndërsa, vetëm 2% të shtetasve zviceranë detyrohen të marrin ndihma soicdiale.

Kategoria më e rrezikuar për të kërkuar ndihma sociale mbetet ajo e njerëzve të moshës para pensionimit, respektivisht nga mosha 56 deri 64 vjeçarë.