Boks

Liridon Klinaku

Boksier

Salla e sporteve në Köln Süd ishte arena e lufërave të vlefshme për kampionatin e Republikës  Gjermane të Nordrhein-Westfalen që u mbajt në fundjavën që shkoi. Protagonisti kryesor i një nder meçeve më të mira në këtë ditë ishte Liridon Klinaku që mbron ngjyrat e klubit të boksit ATV Selhof Bad Honnef.

Finalja në kategorinë gjysëmwelter deri në peshën 64 Kg. ndërmjet 20-vjeçarit nga Kosova dhe kundërshtarit Malke Buyyukayya, u vlerësua si meç i nivelit të lartë ku të dy boksierët nuk i dhuruan njëri tjerit asgjë dhe luftuan guximshëm deri në sekondën e fundit të meçit. Me rezultatin 3:2 sipas vlerësimit të referëve, Liridon Klinaku shpallet kampion i kësaj Republike dhe kualifikohet për Kampionatin Gjerman për seniorë por edhe për Kampionatin Gjerman të moshave U21 që mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers..

„Në këtë kategori konkurrenca ndër boksierë është shumë e madhe. Prandaj jemi shumë të lumtur që në klub kemi një talent kaq të madh si Liridoni i cili na solli këtë titull“ flasin të entuziazmuar trajnerët e tij Anke Müller dhe Eberhardt Zibart.

Por pjesëmarrja në këtë Kampionat nuk ishte edhe aq e sigurtë për Liridonin. Gjatë meçit final të Kampionatit të regjionit Mittelrhein në Maj të këtij viti, ai pëson një lëndim në kokë. Jo nga goditjet e kundërshtarit por nga litari që rrethon ringun. Mjeku i pranishëm i ndalon atij vazhdimin e meçit për shkak të lëndimit serioz. Meçi përfundoi para kohe por Federata regjionale e boksit, duke njohur talentin e tij, i dha mundësinë atij të marrë pjesë në Kampionatin e Nordrhein-Westfalenit. Besimi që ju dha atij edhe u shpagua dhe Liridoni i solli këtë titull Federatës së Mittelrheinit.

„Jam duke u përgaditur për Kampionatin U21 të Gjermanisë por nuk është e sigurtë pjesëmarrja sepse e kam një lëndim në dorë“ shpreh brengosjen e tij djaloshi nga Vushtrria i cili mirret me boks qe gjashtë vite.

„Ky kampionat mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers por edhepse është një kohë e shkurtë, shpresoj të shëroj lëndimin e të marrë pjesë“ vazhdon Liridoni i cili të sigurtë e ka pjesëmarrjen në Kampionatin Gjerman për seniorë që mbahet prej 15-21 Tetor në qytetin bavarez Straubing.

Aty Liridoni do të ketë për kundërshtarë boksierë të fortë dhe me përvojë nga gjithë Gjermania por ai nuk e fsheh optimizmin e tij për sukses në këtë turnir. „Kam fituar disa tituj per juniorë por jam optimist se edhe në kategorinë e seniorëve do të kam suksese. Për këtë qëllim stërvitem rregullisht me trajnerët e mi“ përfundon boksieri i talentuar dhe ambicioz.

liridon klinaku1

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriLiridon Klinaku
  • Vendi ku vepron:Troisdorf, Germani
  • Profesioni:Boksier

  WHO’S WHO të tjera