Portrete të firmave
Tregu i hipotekave në Zvicër pritet të stabilizohet
albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me ekspertin e financave, Petrit Vllasin, njëherësh pronar i firmës "Financa AG"

Inflacioni, hipotekat dhe faktorë tjerë të prekur nga kriza e fundit që erdhi si pasojë e pandemisë dhe pastaj situatës në Ukrainë, vazhdojnë të karakterizojnë situatën financiare kudo në botë, pra edhe në Zvicër. Për të mësuar më shumë rreth asaj nëse edhe vitin 2023 do ta shoqërojnë këto probleme dhe në çfarë mase, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me ekspertin e financave, Petrit Vllasin, njëherësh pronar i firmës “Financa AG”.
albinfo.ch: Cilat janë pritjet tuaja në tregun e hipotekave këtë vit?
P. Vllasi: Tregu i hipotekave në vitin 2023 pritet të gjejë stabilitet. Në cilat nivele nuk është ende e parashikueshme. Në tremujorin e parë të vitit 2023, pritet një tjetër rritje e lehtë e normave të interesit, duke shkaktuar luhatje të ngjashme me ato të gjashtë muajve të fundit.
Norma e inflacionit në Zvicër, Evropë dhe SHBA ka arritur kulmin. Megjithatë, nga gjysma e dytë e vitit pritet një ngadalësim i inflacionit, i cili do t’i lejojë bankat qendrore të mbajnë të pandryshuara normat e interesit.
albinfo.ch: Si e vlerësoni rritjen e hipotekave këtë fillim vit?
P. Vllasi: Rritja në veçanti e hipotekës SARON tashmë ishte buxhetuar dhe paralajmëruar. Prandaj nuk paraqet surprizë në treg. Ai është rezultat i masave të marra nga bankat qendrore për të ngadalësuar aktivitetin ekonomik dhe për rrjedhojë inflacionin.
albinfo.ch: Çfarë ndikimi do të kenë këto lëvizje në tregun hipotekar?
P. Vllasi: Kjo situatë pasigurie dhe fillimisht paniku, ngadalësoi kërkesën për pasuri të paluajtshme e cila nga njëra anë solli një korrigjim të çmimeve të pasurive të paluajtshme në disa rajone të Zvicrës, duke i vënë frerë rritjes së çmimeve që dukej se nuk kishin fund. Nga ana tjetër, ka ngushtuar rrethin e investitorëve të pasurive të paluajtshme, të cilët tani i shqyrtojnë me më shumë kujdes projektet në të cilat duhet të investojnë. Blerësit e pronave për banim janë gjithashtu më të kujdesshëm.
albinfo.ch: A prisni rënie të kërkesave për kredi hipotekare?
P. Vllasi: Kërkesa për hipotekë shkon paralelisht me kërkesën për blerje pasurie të paluajtshme. Unë personalisht vlerësoj se kjo kërkesë do të rifillojë sapo të përfundojë luhatshmëria e normave të interesit dhe të ketë një qetësi më të madhe në normat e interesit. Blerësit do të jenë më të ndjeshëm se më parë në lidhje me produktin që do të përcaktohet, dhe për këtë arsye do të rekomandohet konsultimi me ndërmjetës të pavarur të cilët do të jenë në gjendje të sjellin më shumë oferta dhe zgjidhje në tryezë.
albinfo.ch: A mund të këtë tendence për rritje të mëtejme të hipotekave?
P. Vllasi: Sipas disa analistëve të institucioneve kryesore financiare, një tjetër rritje e normës SARON pritet në fund të qershorit 2023, e cila do të mbetet e qëndrueshme dhe do të bjerë sërish në fund të vitit 2024. Hipoteka 10-vjeçare me normë fikse siguron stabilitet pa rritje të mëtejshme për dy vitet e ardhshme.
albinfo.ch: Si ekspert i hipotekave, çfarë do t’u sugjeroni atyre që kanë në plan për të investuar?
P. Vllasi: Sugjerimi im kryesor është të kuptoni sa më sinqerisht tolerancën tuaj ndaj rrezikut. Mundohuni të planifikoni një buxhet maksimal mujor të tolerueshëm për investimin dhe vendosni për një produkt përfundimtar që të jep mundësinë e gjetjes së qetësisë pavarësisht lëvizjeve të tregut.
Këto janë bisedat dhe mendimet më të vështira për t’u bërë, shpesh një mendim i tretë ndihmon shumë. Kjo është arsyeja pse unë jam në dispozicion të klientëve të mi dhe komunitetit tonë.
Të ngjashme
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Përjetime të paharrueshme të nxënësve shqiptarë nga Zvicra në atdhe 20 vajza dhe djem shqiptarë nga diaspora në Zvicër po marrin pjesë në edicionin e Shkollës...
-
Kosovare Asllani i dhuron fanellën e veçantë bashkatdhetares nga Zvicra
-
Itali: 20 vjeçari shqiptar plagoset rëndë me thikë
-
Ka ushtruar dhunë mbi gruan: Kosovari lejohet të qëndrojë në Gjermani, për shkak të martesës!
-
Mërgimtarit nga Suedia i vidhen mijera euro, stoli ari dhe dokumente në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Vetëvrasjet në Zvicër katërfishohen tek të moshuarit Norma e vetëvrasjeve mes të moshuarve në Zvicër ka arritur nivele rekord, kryesisht për shkak të...
-
Zvicra frankofone, një tokë e re për ullinjtë
-
Zvicra nuk ka prodhuar kurrë kaq shumë energji diellore
-
Zviceranët jetojnë mesatarisht deri në 84 vjeç, por ata duan të jetojnë deri në 93 vjeç
-
Në cilat pika kufitare zvicerane ka më shumë gjasa të përballeni me kontrolle këtë verë?