Lajme
U përurua libri “Ato gdhendin dhimbjen”-15 rrëfime nënash zemërshpuara
“Mbani lotët, ky është çmimi i lirisë” ishte titulli i fjalës së rastit për këtë libër i Nazmi Jakurtit, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë dhe organizator i këtij përurimi
Në përcjellje të një filmi dokumentar e me tingujt e muzikës së interpretuar nga profesoresha Ermira Lefort, në sallën e kongreseve “Allresto” të Bernës, me emocione të përziera u bë përurimi i librit “Ato gdhendin dhimbjen” të autores Alketa Gashi – Fazliu.
Në libër janë përmbledhur 15 rrëfime nënash zemërshpuara, që kur i lexon apo i dëgjon këto rrëfime shpojnë çdo zemër njeriu që në një mënyrë a tjetër është i lidhur me ngjarjet makabre në luftën e Kosovës 1998 – 1999.
“Mbani lotët, ky është çmimi i lirisë” ishte titulli i fjalës së rastit për këtë libër i Nazmi Jakurtit, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë dhe organizator i këtij përurimi, raporton albinfo.ch.
Çdo dhimbje “gdhend”, por kur është fjala për “gdhendje dhimbjesh”, jo vetëm personale, por për jetë të flijuara, për kauzë lirie e atdhetare, këto dhimbje janë dhe duhet të hyjnë në “muzeun shpirtëror” të secilit, të gjeneratave në vazhdim, të mos-harresës kolektive historike të një populli, që edhe pse përsëriten dhimbshëm, përsëriten në dritën e lirisë, tashmë.
Azize Uka, nëna e dy dëshmorëve
Liria pa këto dhimbje nuk do të ishte kaq e qartë dhe kaq e vlertë. Këto 15 histori dhimbjesh konkrete nënash, i japin edhe më shumë zë, jehonë gjithë dhimbjeve kombëtare.
Simboli i nënave që i kanë gdhendur këto dhimbje, janë monumente shpirtërore-historike, në jetëgjatësinë e dritës së lirisë së merituar, dhe që është vetë Nëna e madhe Kosovë.
“Fati i popujve të vegjël kalon nëpërmjet dyerve të tragjedive të mëdha” – shkruan Ismail Qemali. E pra rezistenca e kujtesës në tragjeditë e mëdha e bën të madh deri në Madhështi një KOMB si ky yni.
Autorja
Pra, ejani të mësojmë historinë nga ato që e shkruan me gjakun e bijve dhe bijave të tyre, tha ndër të tjera në fjalën e tij të rastit në këtë përurim z. Nazmi Jakurti.
Profesoresha Ermira Lefort u shpreh se në këtë libër ne kemi një muze që flet. Ne kemi një muze që mes lotëve ngatërrohen lotët e krenarisë, në lotët e dhimbjes, dhe e kthen ndryshe titullin nga gdhendja e dhimbjes në lotët e krenarisë. Pra është një muze i gjallë që flet akoma, prandaj duhet të vazhdohet të shkruhet akoma, që të mos vijë një ditë kur gjenerata e tretë e katërt të paguajnë bileta në muzeun e fotografive e faksimileve për të parë realitetin e dhimbshëm të kësaj lirie.
Ndonëse përmbajtja e librit tashmë u prezantua edhe përmes dokumentarit, autorja e librit Alketa Gashi – Fazliu përfoli sekuenca të përjetuara e të sjella në libër nga nënat dhe gjyshet e heronjve dhe heroinave që vulosën lirinë tonë, shkruan albinfo.ch. Gjyshet ma thanë atë që rrallëkush e thotë: “Hallall dhe lavdi, dhe jo s’mërzitemi, se ia kemi dhënë Kosovës”, u shpreh përplot emocione autorja, e cila, tashmë, për të disatën herë e kishte përsëritur këtë fjali. Ajo tha se gjyshet ishin krenare për sakrificën e bijave dhe bijve të tyre. Gjithsesi, ky libër është më shumë se projekt, është histori dhe faleminderit që e pritët me kaq emocion, u falënderohet autorja Alketa Gashi – Fazliu pjesëmarrësve të përurimit të librit.
Duke rrëfyer situata të ngjashme nga familja e saj, Dajana Berisha kërkoi nga Alketa që të vazhdojë me shkrimin e librave me histori të këtilla, duke kujtuar se kjo i kontribuon në mënyrë fenomenale kujtesës sonë kolektive. Shembullin heroik të nënave shqiptare që u japin mesazhin fëmijëve të tyre për mbrojtjen e vendit nuk e gjejmë askund në botën Perëndimore, kujtoi në fjalën e saj zonja Berisha dhe e falënderoi përzemërsisht autoren për këtë vepër, duke e vlerësuar madje edhe si mision kombëtar.
Të gjithë të pranishmit e blenë këtë libër për ta ruajtur në bibliotekat e tyre si dëshmi kohe, si dëshmi dhembjeje, por edhe krenarie, si dhe me financimin e tij ta ndihmojnë ndonjërën nga familjet në nevojë të atyre nënave që janë pjesë e filmit dhe e librit.
Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Shkëlqimi shqiptar dhe eleganca e kohëve të shkuara në ekspozitën e Kristian Zefit Në këtë ekspozitë, në Rothrist (Aargau) do të paraqiten instrumenta tradicionale, artefakte etnografike dhe kostume të...
-
SH.K.A “Dardania” përfaqëson Shqipërinë e Kosovën në Festivalin në Winterthur
-
Adoleshenti kosovar, i dyshuar për ISIS, e quan veten “Bombarduesi”
-
Nju-Jork: Artisti Petrit Halilaj, në majë të Muzeut Metropolitan
-
Marigona Qerkezi do të debutojë në teatrin e St.Gallenit