Lajme

UDC nis fushatë për iniciativën “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”

Iniciativa parasheh që autoritetet zvicerane të ndërhyjnë nëse popullsia i afrohet pragut prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, duke kufizuar hyrjet e reja dhe duke rishikuar politikat e migracionit

Partia Popullore Zvicerane (UDC) ka nisur zyrtarisht fushatën për iniciativën popullore “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, duke synuar kufizimin e rritjes së popullsisë në vend.

Sipas përfaqësuesve të UDC-së, kjo iniciativë synon të frenojë atë që ata e quajnë “rritje të pakontrolluar të popullsisë”, e cila, sipas tyre, po ushtron presion mbi tregun e banesave, infrastrukturën dhe shërbimet publike. Partia argumenton se migracioni i lartë po ndikon negativisht në cilësinë e jetës dhe në sigurinë sociale, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa parasheh që autoritetet zvicerane të ndërhyjnë nëse popullsia i afrohet pragut prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, duke kufizuar hyrjet e reja dhe duke rishikuar politikat e migracionit.

Megjithatë, qeveria zvicerane dhe shumica e aktorëve ekonomikë janë shprehur kundër kësaj nisme, duke paralajmëruar se masa të tilla mund të dëmtojnë ekonominë dhe marrëveshjet me Bashkimin Evropian. Një ndër shqetësimet kryesore është rreziku i prishjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë të personave me BE-në, që konsiderohet jetike për tregun e punës në vend.

Votimi për këtë iniciativë pritet të zhvillohet gjatë këtij viti, duke e kthyer atë në një nga debatet më të rëndësishme politike në Zvicër.