Storje Suksesi

Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi

“Para se ta përfundoja karrierën, po mendoja si të vazhdoja të jepja një lloj kontributi për shoqërinë dhe vendin tim. Dhe kështu filloi puna e fondacionit “Lorik Cana 5”, një fondacion që gërsheton botën e sportit me atë të kulturës"

Është viti 2010 dhe dhoma është plot. Jemi mbledhur të gjithë rreth televizorit, të lumtur që atë mbrëmje kishte rrymë. Në ekran, ai vrapon pa ndalë për 90 minuta, me shpejtësinë dhe vendosmërinë e dikujt që nuk lodhet kurrë.

Lorik Cana njihet më së miri si një ikonë që e ktheu futbollin në një ngjarje familjare, sportisti që mbushte stadiumet përtej kapaciteteve, ai që e çoi Shqipërinë drejt UEFA Euro 2016 dhe lojtari që krijoi një ndjenjë të rrallë bashkimi kombëtar, ku të gjitha trojet shqiptare përfaqësoheshin në një skuadër, nën të njëjtën fanellë.

Autorja e tekstit, me Lorik Canën

Kjo traditë vazhdoi lojë pas loje. Ne vazhduam të mblidheshim kështu, gra, burra e fëmijë, për çdo ndeshje ku luante Kapiteni. Prej vitit 2003 e deri më 2016, ai mori pjesë në 93 ndeshje, 41 prej të cilave si kapiten. [1]

Ai na mblodhi rreth identitetit të të qenit shqiptar

Ai lindi në Prishtinë por karriera e tij nisi pikërisht këtu në Zvicër, në Lozanë, në klubin “Dardania” të udhëhequr nga i ati. Cana u rrit mes fanellave, fushës dhe disiplinës. Kulmi i rrugëtimit ishte padyshim pozita e kapitenit të Kombëtares. Përveç golave dhe depërtimit në skenën botërore, ai na dhuroi një krenari pothuajse mitike.

Aty ishin edhe ato gjeste të shpirtit luftarak, ku pati karton të verdhë, të kuq, e ndonjëherë që të dy, e besa, krisën edhe grushtet në at ndeshjen e paharrueshme. Sot, ai mban imazhin e Ambasadorit te Sportit, si dhe Ambasador Nderi i Kosovës në vitin 2015, e që prej vitit 2016 mban edhe statusin e Diplomatit të Republikës së Shqipërisë. Lorik Cana përfaqëson një imazh me të cilin shqiptarët identifikohen anembanë botës. Ky imazh, ky përkushtim i jashtëzakonshëm ndaj kombit dhe gjithçkaje që përfshihet nën ombrellën shqiptare, nuk u shua me daljen e tij nga fusha. Përkundrazi.

Kontributi i tij nuk mbaroi në fushë

Në një intervistë në vitin 2018, ai diskutoi kalimin prej sportit në kulturë:

“Para se ta përfundoja karrierën, po mendoja për mënyrat si të vazhdoja të jepja një lloj kontributi, përveç mirëqenies së familjes. Kontribut për shoqërinë dhe vendin tim. Flas për vendet shqipfolëse: Kosovën, Shqipërinë e të tjerë.” [2]

Dhe kështu filloi puna e fondacionit “Lorik Cana 5”, një fondacion që gërsheton botën e sportit me atë të kulturës. [3]

Ajo që të çudit në fillim është se fondacioni nuk nisi drejtpërdrejt me futbollin, por me çerdhe dhe kopshte fëmijësh, aty ku formohen hapat e parë të sportistëve të ardhshëm. Që në moshë të vogël, fëmijët mësojnë lëvizjen, disiplinën dhe bashkëpunimin – vlera që pastaj i mbajnë në sport e në jetë

Udha e Lorik Canës – “Një Gjak, Një Gjuhë, Një Kapiten”

Përmes aktiviteteve të fondacionit, Loriku mbetet po aq i pranishëm në media sa dikur, por sot vëmendja e tij ka marrë një drejtim tjetër. Nuk flet më vetëm për formacionet apo ndeshjet e kampionatit evropian; tani ai flet për gjuhën, për trashëgiminë kulturore dhe për mënyrën si ruhet identiteti ynë përtej kufijve të trojeve shqipfolëse.

Ndër projektet e fundit të fondacionit “Lorik Cana 5” është edhe një dokumentar i realizuar në bashkëpunim me regjisorin italian Alessandro Ferrantelli, me titull “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”. Ky dokumentar është shfaqur tashmë në New York, Firence dhe Cyrih, duke i dhënë kështu Lorikut jo vetëm një lidhje më të thellë me kulturën shqiptare, por edhe një afrimitet të drejtpërdrejtë me komunitetin shqiptar.

Dokumentari shtjellon jetën e arbëreshëve të Italisë, të cilët për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare. Ky komunitet mbetet një shembull frymëzues për të gjithë shqiptarët anembanë botës.

Gjuha është zemra e një populli. Edhe kur flitet ne mes te Sicilisë e Kalabrisë

Lorik Cana, së bashku me Arbër Agalliun dhe arbëreshët e shumë qytezave dhe fshatrave të Italisë së jugut, na merr me vete në këtë udhëtim. Duke ecur nga një vend në tjetrin, dokumentari është i mbushur me rrëfime dhe biseda të qarta dhe plot jetë, të realizuara në një mozaik dialektesh të gjuhës shqipe.

Aty ka edhe momente të thella reflektimi, dhe një prej tyre është veçanërisht rrëqethës. Në atë skenë shfaqen Loriku dhe Arbëri, të ngjitur në majat e maleve që përshkojnë zonat arbëreshe. Gjatë një bisede që ndodh vetëm mes dy shokëve që ndajnë të njëjtat pasione, ata vërejnë diçka që nuk është aspak e rastësishme: shumica e fshatrave arbëreshë janë ndërtuar në anën e malit që sheh drejt detit Jon, drejt horizontit ku shtrihet Shqipëria.

Gjithmonë me sy e zemër të kthyer nga atdheu

Dokumentari u shfaq në Cyrih, më 27 qershor, ku Loriku rrëfeu se Fondacioni “Lorik Cana 5” ka plane të dokumentojë edhe ngjarje të tjera të rëndësishme për kombin shqiptar. Ngjarje të cilat janë të mbushura me mesazhe, histori dhe trashëgimi kulturore. Cana, me këtë dokumentar dhe projektet e tij të ardhshme në të cilat po punon, nxjerr në pah kulturën arbëreshe si simbol të ruajtjes së trashëgimisë sonë kolektive, duke na rikujtuar se diaspora shqiptare ka një histori shumë më të vjetër, më të pasur dhe më të thellë sesa largimet politike e ekonomike të dekadave të fundit.

Dokumentari na bën të reflektojmë se nuk jemi thjesht një fuqi punëtore që i shërben ekonomisë së vendeve ku jetojmë. Për diasporën shqiptare, kudo në botë, e edhe këtu në Zvicër, ruajtja e gjuhës dhe e kulturës është thelbësore për të mbetur ata që jemi, sidomos kur paralelisht na kërkohet të integrohemi plotësisht në vendet ku kemi zgjedhur të jetojmë.

Kur përfundoi shfaqja e dokumentarit dhe teksa Loriku po përgatitej të dilte nga salla, dikush iu afrua dhe i tha:

“Kapiten, a bën ta bëjmë një foto?”

Ai sigurisht pranon dhe buzëqesh me shumë sharm, duke i bërë të gjithë të ndihen jo thjesht pjesë e asaj mbrëmjeje, por pjesë e diçkaje të re që sapo ka filluar.

Lorik Cana – Ambasador i kulturës është shpallur Personalitet i Vitit 2025 për angazhim kombëtar nga platforma
mediale albinfo.ch
Kapiten legjendar i Kombëtares, figurë unifikuese dhe ambasador i kulturës përmes projekteve filantropike e dokumentare.