Lajme
Vota e mërgimtarit apo mashtrimi demokratik?
Procesi i votimit në diasporë duhet përsëritur, sepse përfaqësimi aktual nuk përkon me realitetin kulturor të shtetasve të Maqedonisë
Të shtunën e kaluar qytetarët, shtetas të Maqedonisë me qëndrim jashtë vendit, patën rastin e parë në jetën e tyre që të ndikojnë nga vendi pritës në procesin politik të vendit të prejardhjes. E drejta e votës për mërgimtarët e Maqedonisë ka qenë një çështje e përfolur prej vitesh, e cila më në fund u realizua. Kjo e drejtë, më shumë në teori, ekziston po ashtu edhe për qytetarët e Kosovës jashtë vendit.
Pjesëmarrja e votuesve në pikat votuese të vendeve perëndimore duket të ketë qenë jashtëzakonisht e ulët, veçanërisht për sa i përket votuesve shqiptarë. Për shembull, në Bernë të Zvicrës kanë votuar vetëm 433 qytetarë, 258 shqiptarë dhe 171 maqedonas, nga gjithsej 61. 000 qytetarë të Maqedonisë që jetojnë në këtë vend, ku rreth 85-90% e tyre janë shqiptarë.
Refleksi i parë i interpretimit të këtij rezultati është se këto janë shenja të humbjes së interesimit të diasporës ndaj vendit të prejardhjes.
Kjo mungesë e interesimit do të ndërlidhej ngushtë, sikurse ajo e shqiptarëve të Kosovës, me frustrimet e shumta që ndërlidhen me stagnimin ose degradimin e përgjithshëm shoqëror atje, korrupsionin, mungesat e perspektivës për të investuar, moskonsiderata e mjaftueshme ndaj mërgatës, ndjenja e jomirësisë, pasiguria, etj.
Është fakt se diaspora shqiptare e Maqedonisë ka humbur vitalitetin shoqëror të mëhershëm, pasojë kjo e procesit të natyrshëm të integrimit në vendet pritëse, por edhe e mospërfilljes së tyre serioze nga ana e klasës politike të Maqedonisë në përgjithësi, por edhe e formacioneve politike shqiptare në veçanti.
Mirëpo në realitet, kur ndalemi dhe e analizojmë më afër situatën e rezultatit të zgjedhjeve, konstatojmë se formacioni politik maqedonas në pushtet, VMRO-DPMNE, që nga aprovimi i ligjit si dhe i mekanizmave që ai përmban ka siguruar heshtazi tri karriget e parapara për diasporën me qëllim që ta konsolidojë fuqinë e saj politike në vend. Do të thotë, karriget e diasporës kanë qenë pjesë e strategjisë së mbajtjes së sigurt të pushtetit nga ana e partisë politike në pushtet në Maqedoni, dhe jo të kyçjes së mërgatës në procesin demokratik të Maqedonisë.
Ky votim i ngjan pra një mashtrimi demokratik, sepse në emër të kësaj të fundit sërish është abuzuar apo instrumentalizuar diaspora për arsye të ngushta partiake. Nëse e marrim sërish shembullin e Bernës, nga gjithsej 900 persona të regjistruar (numër ky në vete tërësisht i pamjaftueshëm), rreth 676 nga ata iu është refuzuar e drejta e votimit për arsye të mosfigurimit të këtyre votuesve në regjistrin qendror të shtetasve të Maqedonisë jashtë vendit, respektivisht në Zvicër.
Pra, si herave të tjera, shqiptarët i kuptojnë tepër vonë subtilitetet e ligjeve që përfaqësuesit e tyre i kanë votuar me pavetëdije. Diaspora e fuqishme shqiptare e Maqedonisë në SHBA duket ta ketë kuptuar herët këtë situatë, prandaj edhe i bojkotoi zgjedhjet.
Votimi në diasporë do të duhej përsëritur, është kjo po ashtu kërkesë e opozitës maqedonase. Kjo kërkesë duhet të mbështetet edhe nga partitë shqiptare të të gjitha taborreve, pa marrë parasysh pazarllëqet e mundshme me partinë në pushtet.
Nuk mund të konsiderohet legjitim një përfaqësim i tillë instrumental-partiak i mërgatës, sepse ai nuk përkon aspak me realitetin faktik të diasporës së Maqedonisë, ku shqiptarët janë trefish më të numërt, kurse nuk kanë asnjë përfaqësues të tyre. Nga ana tjetër, edhe diaspora shqiptare e Maqedonisë duhet ta marrë fatin në duart e saj, duke shfrytëzuar në mënyrë maksimale oportunitetet e vetme që asaj i ofrohen si dhe duke ushtruar trysni konkrete (veçanërisht financiare) ndaj partive politike shqiptare atje.
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës? Ky panel synon të hapë një debat të gjerë mbi politikat publike, barazinë, aksesin dhe përfshirjen... -
Lozana kompenson bizneset e goditura nga punimet publike -
Produkte “pa gluten” që mund të përmbajnë gjurmë gluten shkaktojnë konfuzion tek konsumatorët -
Komunat në rajonin Jura Arc përballen me rreziqet e varësisë nga tatimpaguesit e mëdhenj -
Një muaj pas zjarrit në Crans-Montana: 23 të plagosur ende në spitalet zvicerane, 41 po trajtohen jashtë vendit












