Kultura

Xhafa: Politika nuk vendosë për artin

Artisti i njohur nga Kosova me qëndrim në Nju Jork, Sislej Xhafa, i cili me veprën e tij origjinale artistike u bë pjesë e trashëgimisë kulturore të Cyrihut dhe të Zvicrës është prekur me kërkesën e SVP-së që të hiqet skulptura “Y” nga parku kryesor i qytetit.

Sislej Xhafa, ka thënë për “Kohën Ditore” se një kërkesë e tillë është e stilit diktatorial.

“Vetëm në vendet ku ekziston një diktaturë, pra një shtet diktatorial, politikanët mund të diktojnë artin dhe të ndikojnë në tendencat artistike”, ka thënë Xhafa. Sipas tij, rasti i këshilltarëve komunalë në Zvicër nuk ka vlerë. 

“Në rastin e Zvicrës është vetëm një mendim i izoluar dhe unë nuk besoj se ka një peshë”, ka thënë Xhafa. Për Xhafën politika nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e veprës së tij.

“Vepra ‘Y’ është bërë për qytetin e Cyrihut dhe shtetin e Zvicrës e posaçërisht për qytetarët e këtij qyteti dhe është zgjedhur prej një jurie të lartë profesionale e jo prej politikanëve”, ka thënë Xhafa.

Kësisoj për Xhafën kërkesat e SVP-së janë të parëndësishme. 

“Çdo mendim i kundërt duhet të ketë respekt, por jo të ketë peshë”, ka thënë Xhafa.

Në fund të gushtit kur disa këshilltarë komunalë të SVP-së kishin bërë një kërkesë tek autoritetet e Cyrihut për heqjen e skulpturës së Xhafës.

“Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës ‘Y’, nuk ka përmbushur misionin e saj origjinal dhe nuk do të vazhdojë të shërbejë si një luhajë”, kishte thënë këshilltari komunal i SVP-së (Schweizerische Volkspartei) Mauro Tuena, për “Tagesanzeiger”.

Politikani i SVP-së bashkë me kolegun i tij partiak, Bruno Sidler, javën e kaluar i kishin kërkuar këshilltares së qytetit të Cyrihut, Ruth Genner, që ta heqin “eksperimentin Y”, siç e quan SVP-ja nga lagjja “Hardau”. 

”Nuk është turp që një eksperiment nuk funksionon”, kishte thënë Tuena.

Sipas arsyetimit të këtyre këshilltarëve, koha dhe shpenzimet nga modifikimet dhe riparimet në këtë vepër arti janë të papërballueshme për qytetin e Cyrihut.

Madje këta këshilltarë e kishin quajtur veprën një instalim të dështuar. Kësisoj, sipas tyre. Cyrihu nuk duhet të instalojë këso veprash arti. Kjo parti ka thënë se nëse një kërkesë e tillë nuk pranohet, atëherë SVP-ja do të iniciojë një mocion parlamentar.

“Për fëmijët dhe të rinjtë që luajnë në park, luhaja paraqet një rrezik”, ka thënë Tuena.


 Pavarësisht kësaj autoritetet në Cyrih heqjen e skulpturës nuk po e shohin si opsion.

Mike Sgier, një zëdhënës i qytetit të Cyrihut, u ka thënë se nuk shohin arsye për ta hequr veprën e Xhafës.

“Për këtë vepër arti nuk është ankuar askush nga qytetarët. Përkundrazi, me të vërtetë duan që skulptura të mbetet në lagjet e tyre. Ne nuk dëshirojmë të heqim skulpturën ‘Y’”, ka thënë Sgier.

Ai kishte thënë të ketë marrë edhe reagimet e qytetarëve të cilët janë shumë të kënaqur.

”Ky nuk është një projekt i dështuar”, ka thënë Sgier. Ai u është përgjigjur edhe akuzave se mirëmbajtja e veprës po i kushton shumë qytetit.

“Vështirësitë që kemi pasur në fillim me skulpturën kanë qenë normale. Për të gjitha prishjet ka garantuar që i mbulon pjesërisht firma ‘Nüssli”, ka thënë Sgier.

Skulptura e artistit kosovar në Cyrih është riparuar shpesh nga dëmtimet që i janë bërë këtij objekti 15 metra të lartë në Cyrih.

Grün Stadt të Cyrihut i ka kushtuar riparimi i skulpturës 35 mijë franga, shkruan “Tagesanzeiger”.

Skulptura e punuar nga artisti kosovar me qëndrim në SHBA, Sislej Xhafa është përuruar më 23 shtator 2011 në Parkun Hardau të qytetit të Cyrihut. 

Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës Y qe zgjedhur më e mira në një konkurs që pati shpallur Komuna e Cyrihut para dy vjetësh.